Është rritur bilanci i viktimave në shkollën fillore në Teksas të SHBA. Mësohet se 19 fëmijë të vegjël dhe dy të rritur kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në Teksasin jugor.
Sipas zyrtarëve, 18-vjeçari i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb në qytetin e Uvalde para se të vritej nga forcat e rendit. Hetuesit thonë se i dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë.
Adoleshenti dyshohet se ka qëlluar gjyshen e tij në fillim para se të hynte në shkollë. Mediat lokale raportojnë se ai mund të ketë qenë një nxënës i shkollës së mesme në zonë.
Shefi i Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, Pete Arredondo tha se të shtënat filluan në orën 11:32 me orën lokale të së martës dhe se hetuesit besojnë se sulmuesi “veproi i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se sulmuesi i quajtur Salvador Ramos, braktisi një automjet përpara se të hynte në shkollë për të hapur zjarr në mënyrë të pakuptueshme.
Mes të vrarëve ishte një mësuese, e cila është përmendur në mediat amerikane si Eva Mireles.
Robb Elementary mëson nxënësit e klasave të dyta, të treta dhe të katërta, të cilët variojnë nga mosha shtatë deri në 10 vjeç.
Për ngjarjen ka reaguar edhe presidenti i SHBA, Joe Biden. Në një fjalim emocionues nga Shtëpia e Bardhë ai dënoi ashpër sulmin dhë kërkoi nga ligjvënësit q ëtë bëjnë më shumë ëpr çështjen e armëve.
“Unë kisha shpresuar që kur të bëhesha President nuk do të duhej ta bëja më këtë. Ka shumë gjëra që nuk i dimë ende. Ka shumë që ne dimë. Prindërit që nuk do ta shohin më kurrë fëmijën e tyre, nuk do t’i çojnë në shtrat dhe nuk do të përqafohen me ta. Prindër që nuk do të jenë kurrë të njëjtë. Të humbasësh një fëmijë është si të të këpusin një pjesë të shpirtit”, tha Biden.
Duke iu kthyer çështjes së legjislacionit për kontrollin e armëve, Biden iu kërkoi ligjvënësve që ta “ta kthenin këtë dhimbje në veprim” teksa ai kujtoi disa nga të shtënat masive që nga masakra e vitit 2012 në shkollën fillore Sandy Hook në Newtown, Connecticut, kur ai ishte nënkryetar.
“Jam i lodhur nga kjo. Ne duhet të veprojmë. Dhe mos më thoni se nuk mund të kemi ndikim në këtë masakër,” tha presidenti, duke pyetur: “Pse vazhdojmë ta lejojmë këtë të ndodhë? “Ku është në emër të Zotit shtylla jonë për të pasur guximin për t’u përballur dhe për t’u bërë ballë lobeve? tha ai.