Lufta për titullin kampion në Serie A po bëhet gjithnjë e më interesante. Interi dështoi sonte të merrte kreun, teksa aktualisht padroni i kampionatit italian është Milani, me 74 pikë, 2 pikë më shumë se kushërinjtë zikaltër.
Javë pas javë, ndeshje pas ndeshje, renditja dhe pikët po ndryshojnë dhe për të gjithë, situata është bërë e paparashikueshme. Teksa jemi në fund të edicionit futbollistik, Gazzetta dello Sport tregon 4 arsye pse Milani ia del në fund:
1.LIDHJE SHPIRTËRORE – Sipas të përditshmes italiane, ky Milan i ngjan Italisë që verën e kaluar fitoi Europianin. Përqafimi mes Paolo Maldinit dhe trajnerit Pioli në përfundim të Lacio-Milan dukej si ai mes Xhanluka Vialit dhe Roberto Mançinit pas finales ndaj Anglisë.
“Axurrët” triumfuan me shpirtin e skuadrës dhe forcën e lojës dhe, në fakt, këto janë të njëjtat armë me të cilat kuqezinjtë synojnë të bëjnë më të mirën e një kundërshtari, në teori, më të fortë. Ka lidhje të fortë mes të gjithë përbërësve të këtij Milani: ekipit, trajnerit, menaxherëve. Loja e kolauduar në këto tri vite me Piolin bën të mundur kompensimin e çdo mungese dhe pasuron individët me cilësinë kolektive.
2.ENTUZIAZËM – Interi është më me përvojë se “Djalli”, por entuziazmi i kuqezinjve të rinj nuk është domosdoshmërisht një limit. Përkundrazi. Uria e elementëve si Sandro Tonali mund të jetë vendimtare në një luftë pikë për pikë si ajo mes dy milanezeve.
Nëse Milani ka qenë shpesh në vendin e parë në renditje këtë sezon dhe ka dominuar ndeshjet ballë për ballë më shumë se disa herë, kjo është për shkak se të rinjtë kanë personalitet. Ata dinë të përballojnë përgjegjësitë, ndaj mund të mos dridhen as në sprintin e kampionatit.
3.TË RINGJALLURIT – Ekipi i Piolit, në këtë sprint të fundit të sezonit, rigjeti dy liderë në sulm: Zlatan Ibrahimoviç dhe Ante Rebiç. Vitin e kaluar ata ishin vendimtarë për renditjen, me 15 dhe 11 gola në Serinë A. Këtë vit janë në kuotat 8 dhe 2. Në apel mungojnë 16 gola.
Duke i gjetur në këtë moment (bënë menjëherë diferencën në Lacio-Milan në aksionin që çoi në golin e fitores) është një ndihmë e madhe për Piolin. Për Ibrën, fitimi i titullit do të kishte shijen e suksesit më të bukur të karrierës. Ndoshta, edhe për t’u larguar si fitues.
4.PËRBALLJET DIREKTE – Privilegji i fundit i Milanit ndaj Interit ka të bëjë me përplasjet direkte. Një barazim, 1-1, dhe një fitore e kuqezinjve, 2-1, në dy derbet e luajtura në kampionat gjatë sezonit i lejon “Djallit” të qepë flamurin në gjoks në rast të një përfundimi të barabartë në krye të renditjes.