Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka realizuar takime me personalitete të institucioneve relevante për forcimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, si partneri ynë strategjik.
Sipas një njoftimi për media thuhet se ministri Sveçla, ka takuar Gregory Ducot, Drejtorin e Programit të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP, në kuadër të Departamentit të Drejtësisë dhe Ndihmës Drejtorin, Mark Mogle, Programi i Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP, për forenzikë.
Sveçla shfrytëzoi rastin të shprehë mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme nga shteti Amerikan përmes programit ICITAP në Kosovë, i cili ka ofruar mbështetje në kapacitete njerëzore, teknike dhe teknologjike për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saja.
“Ducot dhe Mogle kanë theksuar që Kosova tashmë është një shembull referimi për suksesin e arritur në fushën e policisë dhe forenzikës, të cilat janë model për vendet e rajonit dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin për media.
Pavarësisht të arriturave të deritanishme, ministri Sveçla ka potencuar nevojën që agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme sikurse Policia, Inspektorati Policor i Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencia e Forenzikës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike, të mbështeten edhe më tutje për të arritur standardet specifike në fushën e parandalimit të krimit, menaxhimit të emergjencave dhe rritjes së sigurisë për qytetarët e vendit.
Në anën tjetër, ICITAP-i u zotua që të vazhdojë bashkëpunimin profesional duke mbështetur institucionet tona në adresimin e nevojave në fushën e sigurisë, luftimit të krimit dhe korrupsionit si dhe sundimin e ligjit.