Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të takohet të enjten me liderët dhe aleatët europianë, në sfondin e një krize ndërkombëtare për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet në këtë udhëtim?
Uniteti
SHBA-ja deri më tani ka lëvizur me të njejtin hap me aleatët e saj, veçanërisht në ditët e para të luftës. Por ndërsa situata vazhdon të tensionohet, potenciali për mosmarrëveshje vazhdon të rritet. Biden do të duhet të bindë aleatët e tij se përforcimi i vendosmërisë së NATO-s nuk është një kusht i përkohshëm, por një normalitet i ri.
Kriza e refugjatëve
Polonia po strehon pjesën më të madhe të refugjatëve ukrainas që i janë larguar pushtimit rus. Hapja e kufijve për miliona refugjatë ka vënë në presion të madh vendin dhe, nëse situata nuk trajtohet siç duhet mund të shkaktojë trazira sociale dhe paqëndrueshmëri ekonomike.
Zgjidhjet ushtarake
SHBA-ja ka premtuar se do t’i sigurojë Ukrainës mjete më të avancuara të mbrojtjes ajrore. Por ekziston një shqetesim se cilët armë SHBA-ja do të dërgojë në Ukrainë, pasi kjo mund të nxisë një kundërveprim nga Rusia drejt NATO-s.
Sanksionet
Sanksionet ndërkombëtare nga SHBA-ja dhe Europa nuk kanë qënë të mjaftueshme për të penguar Rusinë nga vazhdimi i sulmit të saj të plotë ndaj Ukrainës.
Ndërsa aleatët perëndimorë këmbëngulin se do të shtojnë sanksionet ekziston një presion në rritje ndaj liderëve amerikanë dhe europianë për të gjetur mënyra të reja për të ndëshkuar agresionin rus.
Çështja e Kinës
Amerika dhe Europa do të duhet të bëjnë përpjekje të koordinuara për të bindur Kinën që të mos mbështesë Rusinë në luftën kundër Ukrainës. Por mbështetja e Kinës për pjesëmarrjen ruse në samitin e ardhshëm ekonomik të G20 sugjeron se detyra nuk do të jetë e lehtë.