Forcat ruse thanë se do të rihapin korridorin e evakuimit nga qyteti i rrethuar i Mariupolit në Zaporizhzhia të premten. Sipas zyrtarëve ukrainas, autokolonat u përballën me disa probleme të enjten, duke përfshirë trupat ruse që konfiskuan ndihmën dhe bllokuan autobusët.
Ja çfarë dimë:
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ushtria do të rihapë korridorin humanitar nga qyteti jugor Mariupol në Zaporizhzhia më 1 prill me kërkesë të liderëve të Francës dhe Gjermanisë.
Korridori do të hapet nga ora 10:00 me orën e Moskës dhe trupat ruse do të ngrenë një pikë të ndërmjetme në qytetin jugor të Berdiansk, tha ministria.
Franca tha se korridori i evakuimit të enjten ishte “i pamjaftueshëm” për të lejuar shpëtimin nga Mariupol.
Ministrja ukrainase Iryna Vereshchuk tha se rreth 100,000 civilë mbetën të bllokuar në qytet, i cili ka vuajtur javë të tëra nga bombardimet nga forcat ruse.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) po përgatitet të lehtësojë kalimin e sigurt të civilëve nga Mariupol.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky operacion të zhvillohet. Jetët e dhjetëra mijëra njerëzve në Mariupol varen prej tij,” tha ICRC.
Ndihma e konfiskuar, autobusët ndaluan:
Forcat ruse konfiskuan të enjten 14 tonë ndihma humanitare nga autobusët e nisur për në Melitopol në Ukrainën jugore, sipas Vereshchuk, ministri ukrainas i riintegrimit të territoreve të pushtuara përkohësisht.
Vereshchuk tha se ushqimi dhe ilaçet ishin ngarkuar në 12 autobusë. Forcat ruse gjithashtu bllokuan 45 autobusë që shkonin në Berdiansk të enjten në rrugë për në Mariupol, shtoi ajo.
“Ne jemi duke negociuar që autobusët të kthehen dhe banorët e Melitopolit nesër të evakuohen duke përdorur këta autobusë”, tha ajo.
Evakuimet:
1,458 njerëz arritën në Zaporizhzhia me makinat e tyre të enjten, tha Vereshchuk. 631 prej tyre u arratisën nga Mariupol. 827 ishin nga Berdiansk, Enerhodar, Melitopol, Polohy, Huliapole dhe Vasylivka në rajonin e Zaporizhzhia.b.w.