Ivica Daçiq arriti një rezultat më të mirë se sa pritej në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me rreth 12 përqind të votave, por ai jo vetëm që ndoshta nuk do të jetë kryeministër, por mund të mos jetë as pjesë e qeverisë së re në Beograd.
Këtë e la të kuptohet edhe kreu i Partisë Progresive Serbe dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në deklaratat e mbrëmshme në fjalimin e tij të fitores, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.
I pyetur nga një gazetar se “të gjithë thonë se Ivica Daçiq është kryeministri i ri serb”, Vuçiq fillimisht u përgjigj: “Të lutem?”, dhe kështu provokoi të qeshurat e mbështetësve të partisë së tij.
I pyetur sërish, Vuçiq u përgjigj mjaft nervoz: “Epo, nëse të gjithë po flasin…”
Por më pas ai tregoi edhe më qartë se sa nuk i pëlqen ideja që Daçiq të jetë kryeministër në qeverinë e re serbe.
“Shikoni për çfarë po flasim ne populli, flasim për një listë që ka marrë katër herë më shumë vota se dikush. Pra, jo katër përqind, jo 14… Të mos flasim për zgjedhjet parlamentare, se kemi më shumë se 30 përqind më shumë se të dytët. E kuptoni për çfarë shifra po flasim, për çfarë ndryshimi?”, tha Vuçiq dhe më pas i bëri thirrje anëtarëve të partisë së tij që ta hapin shampanjën, duke shtuar se nuk mund t’u përgjigjet më pyetjeve.
Për deklaratat e Vuçiqit mbrëmë u pyet edhe Daçiq.
“E kam parë konferencën e presidentit Vuçiq. Besoj se fituam së bashku në Beograd. Shpresoj se do të bashkëpunojmë, por i takon Vuçiqit të vendosë”, tha ai, përcjell Gazeta Express.Vuçiq dhe Daçiq, secili më nacionalist se tjetri, kanë bashkëpunuar për shumë vjet në një politikë që noton mes Rusisë dhe BE-së, pa u qortuar asnjëherë seriozisht për këtë nga Brukseli.