Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar mbrëmë se gjyshi i saj i kishte dhënë bukë e armë ish-presidentit Hashim Thaçi.
Një deklaratë të tillë Haxhiu e ka dhënë në Kanal10, ku ka thënë se përkundër kësaj, ish-presidenti e kishte akuzuar familjen e saj për trafikim me narkotikë.
Ajo ka treguar se e ka paditur ish-presidentin për shpifje dhe se rasti për këtë është në gjykatë, por thotë se ende s’është mbajtur asnjë seancë.
“E kuptoj se në politikë edhe mund të akuzohesh, ndonëse është e ultë, por mund të bëhen. Por, për familjen time ka qenë ndryshe sepse familja ime ka qenë para lufte e gjithmonë ka kontribuar për vendin. Z. Thaçi e njeh familjen time. Gjyshi im i ka dhënë bukë e armë Thaçit, por edhe përkundër kësaj ka bërë një akuzë të tillë. Unë e kam paditur për shpifje, jo si ministre, por si individ. Të akuzosh një familje për trafikim me narkotikë, s’mund t’i mbyllësh sytë. Rasti është në gjykatë dhe ende nuk është mbajtur asnjë seancë”, ka thënë Haxhiu.g.e.