Ushtria e Shteteve të Bashkuara pritet të fillojë stërvitjen e ushtarëve ukrainas për përdorimin e armëve amerikane të artilerisë së rëndë, “howitzer” në ditët në vijim, tha të hënën një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes. Një “howitzer” është përgjithësisht një armë me rreze të gjatë veprimi e ngjashme me një top, e cila ka predha më të vogla, e që mund të gjuajë më me shpejtësi.
Javën e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një ndihmë ushtarake shtesë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, duke e zgjeruar ndihmën me armë të artilerisë së rëndë, përpara një sulmi më të gjerë rus në Ukrainën lindore.
Deri më tani, katër avionë ngarkuar me armë janë dërguar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën si pjesë e paketës së re të ndihmës.
Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, tha se trajnimi mbi përdorimin e armëve të artilerisë së rëndë do të zhvillohet jashtë Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara po planifikojnë t’i stërvitin ushtarët ukrainas se si të përdorin disa nga armatimet e reja, si artilerinë e rëndë “howitzer” dhe radarët. Ata do të përdorin njohuritë e tyre mbi armët për të stërvitur kolegët e tyre brenda Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara kanë stërvitur më parë forca ukrainase për përdorimin e dronëve “Switchblade”VOA