Shtetet e Bashkuara do të trajnojnë ushtarët ukrainas të përdorin armë amerikane të artilerisë së rëndë, “howitzer”.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes në SHBA, tha të hënën se stërvitja do të nisë gjatë ditëve në vazhdim. “Hoëitzer” është përgjithësisht një armë me rreze të gjatë veprimi e ngjashme me një top, e cila ka predha më të vogla, e që mund të gjuajë më me shpejtësi.
Javën e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden i dha dritën jeshile një pakete të re me ndihmë ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, duke e zgjeruar dërgesat me armë të artilerisë së rëndë, në prag të ofensivës ruse në Ukrainën lindore. Deri më tani, katër avionë ngarkuar me armë janë dërguar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën si pjesë e paketës së re të ndihmës.
Zyrtari i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti, tha se trajnimi mbi përdorimin e armëve të artilerisë së rëndë do të zhvillohet jashtë Ukrainës.
Trupat amerikane do të mësojnë koleget ukrainas se si të përdorin disa nga armatimet e reja, ku përfshihen edhe radarët.
Shtetet e Bashkuara kanë stërvitur më parë forca ukrainase për përdorimin e dronëve “Switchblade”. Presidenti Volodimir Zelenski bën vazhdimisht thirrje për më shumë armë të artilerisë së rëndë nga aleatët, për t’i bërë ballë ofensivës ruse ne rajonin e Donbas./A2CNN