Diplomatët amerikanë do të kthehen në Ukrainë, i tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tyre në Kiev të dielën. Kështu raporton CNN, duke cituar një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit.
“Diplomatët do të fillojnë me udhëtime ditore në Lviv dhe do të vendosen në pjesë të tjera të vendit. Në fund do të rivendosen në Kiev”, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit.
Blinken, i cili udhëtoi në Kiev së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, tha gjithashtu se presidenti i SHBA Joe Biden do të emërojë Bridget Brink si ambasadoren të SHBA në Ukrainë, sipas zyrtarit të Departamentit të Shtetit.
Posti ka qenë pa një ambasador të konfirmuar që kur Marie Yovanovitch u tërhoq në maj 2019. Brink është ambasadorja aktuale e SHBA në Sllovaki.