Që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës toni ndaj Moskës ka ndryshuar edhe në Beograd. Serbia duhet të bëjë një riorientim themelor. Serbia konsiderohet tradicionalisht si aleati më i ngushtë i Rusisë në Evropë.
Ky vend i vogël mburret edhe me marrëdhënie të shkëlqyera me Kinën, e cila ka bërë të mundur shumë projekte infrastrukturore në këtë vend, si zgjerimi i hekurudhave, rrugëve e termocentraleve.
Serbia është edhe kandidate për anëtarësim në BE. Kjo politikë e paqartë e vendit të Ballkanit Perëndimor, e cila në Perëndim quhet si “politika me dy karrige” dhe mbështetet në disa aleanca, ka një traditë të gjatë.
Ish-presidenti dhe politikani aktual i opozitës Boris Tadiq ndiqte një politikë që ai e përshkroi si një “politikë të jashtme me katër shtylla”: Përveç Rusisë, Kinës dhe BE-së, Serbia nën udhëheqjen e tij (2004-2012) mbështetej edhe tek SHBA si një partner i katërt. Kjo politikë luhatjesh e kritikuar shpesh nga Brukseli dhe Berlini, tani mund të marrë fund. Pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, Serbia gjendet në udhëkryq: qeveria e Beogradit duhet të vendosë se me cilën anë do të shkojë ky vend në të ardhmen.
“Thikë në shpinë”
Deri më tani, mediat tabloide serbe, të cilat konsiderohen si megafoni i qeverisë, kanë bërë një pasqyrë të qartë: Rusia dhe Kina ishin miq, e keqja kërcënon nga Perëndimi. Por javën e kaluar, ishin pikërisht këto media që bënë një kthesë befasuese.
“Politika botërore në kurrizin tonë”, ishte titulli i gazetës Informer. Ndërsa gazeta “Kurir” shkruan: “Interesi i zhveshur. Putini mbron interesat e Rusisë (…) dhe injoron qëndrimin e Serbisë”. “Putini i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës së tij”, ishte titulli i gazetës “Blic” e “Srpski Telegraf” ishte edhe më i qartë: “Putini i fut thikën në shpinë serbëve”.Çfarë ndodhi në fakt? Presidenti rus Vladimir Putin i arsyetoi pretendimet e tij për Krimenë dhe Ukrainën lindore duke thënë se Perëndimi e kishte ndarë Republikën e sotme të Kosovës nga shteti serb dhe e kishte njohur atë sipas ligjit ndërkombëtar. Me fjalë të thjeshta: ju e ndatë Kosovën nga Serbia, të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne me Krimenë dhe Ukrainën lindore. Anasjelltas, në logjikën e tij, kjo do të thotë se Kosova mund të jetë po aq e pavarur sa territoret ukrainase të pretenduara nga Rusia.
Dëshmitë për një pozicionim të ri
Pas vizitës së tyre te presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 20 prill 2022, senatorët amerikanë raportuan se ai dëshironte të riorientonte politikën e vendit të tij brenda dy muajsh. Vuçiq ka paralajmëruar edhe një fjalim, me të cilin do t’i drejtohet popullit serb për të premten e ardhshme (6 maj 2022), në të cilin ai do të bëjë një bilanc të gjendjes dhe do të rivlerësojë situatën ndërkombëtare të Serbisë.
Në javët e fundit, presioni ndaj Beogradit është rritur. Nga Uashingtoni dhe Brukseli thuajse çdo ditë thuhej se nëse Serbia do të bëhet pjesë e BE-së, atëherë ajo duhet të ndjekë edhe linjën e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Kritika të ashpra për furnizimet kineze të armëve në Serbi kanë ardhur së fundmi edhe nga Parlamenti i BE-së. Beogradi nuk ka asapk nevojë për këtë sistem raketash tokë-ajër, sepse gjeografikisht është i rrethuar vetëm nga vendet e NATO-s dhe të BE-së. Apo vendi ka plane krejtësisht të ndryshme, pyesnin ata.
Në mars 2022, ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin, i cili ka bërë emër si një lloj zëdhënësi i presidentit Vuçiq, tha: Serbia duhet të ndalojë çdo afrim të mëtejshëm me BE-në dhe të bëhet politikisht neutrale. Ky neutralitet dhe kjo vetësiguri e tij, e cila është në përpjesëtim të zhdrejtë me fuqinë ekonomike të Serbisë, ushqehet nga historia jugosllave dhe themeluesi komunist i këtij shteti, Josip Broz Tito.
Vuçiqi nën presion
Kreu i shtetit Vuçiq e sheh pozicionin e tij të kërcënuar nga trazirat sociale në vend, analizojnë ato pak media të pavarura në Serbi, që janë kritike ndaj qeverisë. Ato e shohin si të pazakontë që Vuçiqi e ka kundërshtuar publikisht ministrin e tij të Financave, Sinisha Mali, sepse ai donte të bënte disa ndryshime në tregjet e fermerëve, pavarësisht demonstratave disaditëshe të tregtarëve.
Ndërkohë, popullsia duhet të përballojë rritjet masive të çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Pensionistët serbë, të cilët presin që Vuçiq të sigurojë standardin e tyre shumë modest të jetesës, e kanë mbështetur Vuçiqin pas ndihmave të menjëhershme të shtetit.
Ekonomia e rrezikuar?
Në fund të javës së kaluar, gazeta e njohur e Beogradit “Vecernje Novosti”, gjithmonë në ballë të mbrojtjes së Vuçiqit në politikën kundër Perëndimit, botoi një artikull të gjatë politikash mbi situatën në Serbi. Presioni perëndimor “kërcënon seriozisht ekonominë serbe”, sipas skenarit horror të hartuar nga gazeta.
Thuhet se Brukseli po shqyrton ndalimin e ndihmës financiare, përfundimin e investimeve të mëtejshme si dhe çmontimin dhe tërheqjen e atyre që tashmë janë bërë. Por gjërat mund të përkeqësohen shumë, analizon kjo gazetë: Mund të jetë fundi i udhëtimit pa viza në BE, i cili ka qenë i mundur që nga viti 2009. Ndërprerja e ndihmës masive të para-anëtarësimit të BE-së, IPA, mund të jetë e pashmangshme, siç mund të anulohet edhe statusi si kandidat për anëtarësim në BE.
Teoritë konspirative
“Novosti” e klasifikon këtë skenar kërcënimi si pjesë të një teorie të madhe konspirative: Perëndimi po vepron së bashku me fqinjët e tij në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kroaci kundër presidentit Vuçiq. Dhe më tej: Presioni i tanishëm ndaj Serbisë është vazhdimi i shkatërrimit të Jugosllavisë dhe bombardimeve të NATO-s gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, me synim “që t’i japim shqiptarëve një pjesë të territorit tonë”, shkruan kjo gazetë.
Por Serbia, në fakt, është plotësisht e varur nga Perëndimi. Deri më sot, Brukseli i ka dhënë vendit me 7 milionë banorë rreth katër miliardë euro ndihmë zhvillimi. Sipas Beogradit, 24.000 kompani serbe me pothuajse 900.000 punonjës e bëjnë jetesën nga biznesi me BE-në. Kompanitë serbe shesin dy të tretat e eksporteve të tyre në vendet e BE-së. Komentatorët kritikë vendas presin që Vuçiqi të mos rrezikojë t’i ndërpresë këto lidhje të forta për të mos e vënë veten në rrezik. Prandaj ai do t’ia kthejë shpinën Rusisë dhe do të orientohet qartë drejt Perëndimit.infoshqip.com.