Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka folur edhe një herë për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe raportimet dhe dyshimet se është i përfshirë në shpëlarje parash.
Gërvalla, në Sytë 7 në Klan Kosova, deklaroi se që nga fillimi nuk kanë pasur asnjë arsye që të dyshojnë në deklaratën e Berishajt.
“Ne kemi pasur deklaratën e tij që në fillim dhe nuk kemi pasur asnjë arsye që të dyshojmë në deklaratën e ambasadorit Berishaj, duke e njohur jo vetëm personalitetin e tij – por duke njohur edhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm”.
“Nuk jam unë ajo që më takon t’ju tregojë mediave se si duhet të sillen në raport me personalitete dhe përfaqësues të Kosovës. Kjo është një çështje që ju përket mediave ta shqyrtojnë mes vete” tha Gërvalla.
Mes tjerash, Gërvalla thotë se për të qëndruar krah Berishajt u konsultuan edhe me shtete të ndryshme, njofton Klankosova.tv.
“Unë e kam lexuar dhe e kam ditur edhe më herët qëndrimin e Malit të Zi rreth ambasadorit Berishaj, sepse vendimin për të qëndruar në krah të ambasadorit Berishaj nuk e kemi marrë “apriori”. Por, e kemi marrë duke u bazuar edhe në informacione të shteteve të ndryshme. Prandaj, gëzohem që hap pas hapi edhe opinioni që ka parë një fushatë të jashtëzakonshme denigruese ndaj ambasadorit do të ndërgjegjësohet që vetëm ka qenë e tillë”.
“Pra, ka qenë një fushatë e bazuar në një medium slloven i cili në një fushatë zgjedhore pak ditë para zgjedhjeve ka lansuar një fushatë të tillë”, u shpreh Gërvalla.