Më 9 maj u bënë 24 vjet nga vrasja e njërit prej themeluesve të UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevcit dhe mjekut Hazir Mala.
Ilir Konushevci pas vrasjes së Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, me sugjerim të atyre që ishin të përfshirë në organizim, vendos të kalojë në Shqipëri.
Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Adrian Krasniqin, pas vrasjes së Luan Haradinajt.
Pas vrasjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte në një mënyrë Zonën e Llapit, por nuk ishte pjesë e Shtabit qendror.
Më 16 tetor 1997 vritet dhe Ardian Krasniqi, gjatë një sulmi ndaj stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës.
Pas këtij rasti, Iliri ngarkohet për sjelljen e armatimit në Kosovë. Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë profesionist në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, së bashku me mjekun Hazir Mala, atje ku më së paku pritej, në një pritë të organizuar derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.
Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe dhe për organizimin e shëndoshë të UÇK-së.
Eshtrat e heronjve Ilir Konushevci e Hazir Mala, pas dy dekadash nga vrasja e tyre, u zhvarrosën nga Tirana dhe u sollën e u rivarrosën me nderime, më 27 nëntor të vitit 2018 në Kosovë, në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Por, nga shteti i Kosovës, deri tani nuk ka pasur si duket asnjë përpjekje për zbardhjen e kësaj vrasje, pra asnjë hetim.
Analisti Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se, ende nuk dihet pse dhe për çfarë arsyesh ndodhi ky akt barbar, nga kush u nxit dhe pse nuk u hetua asnjëherë zyrtarisht.
Ai shton se, vitet 1997-1998 ishin vitet më të rënda të vrasjeve enigmatike të personaliteteve më të shquara politike dhe ushtarake të UÇK-së.
Qarri: Konushevci ishte njëri ndër themeluesit e UÇK-së në Llap, kishte personalitet të çmuar
“Janë bërë plot 24 vite, qysh kur u vra Ilir Konushevci dhe mjeku tropojanë Hazir Mala, por deri më sot, mjerisht ende nuk ka asnjë përgjigje të qartë nga (pa)drejtësia shqiptare, se si, dhe për çfarë arsyesh ndodhi ky akt barbar, nga kush u nxit dhe pse nuk u hetua asnjëherë zyrtarisht, tash e mbi 24 vite me radhë. Fatkeqësisht vitet 1997-1998 ishin vitet më të rënda të vrasjeve enigmatike të personaliteteve më të shquara politike dhe ushtarake të UÇK-së, në shtetin amë, të cilat sot e atëherë nuk u zbardhën kurrë, nga asnjë qeveri, që për më tepër se dy dekada, erdhën dhe shkuan, në dhe nga pushteti në Shqipëri. Në Shqipëri më 29 korrik të vitit 1997, në banesën e tij në Tiranë u masakrua gazetari dhe zëdhënësi i parë i UÇK-së Ali Ukaj, kurse në muajin maj të vitit 1998, pranë qytetit të Bajram Currit u vra edhe udhëheqësi i parë i logjistikës së UÇK-së, Ilir Konshuvci. Po atë vit, më 21 shtator 1998, në Tiranë u vra edhe komandanti i përgjithshëm i forcave të UÇK-së, kolonel Ahmet Krasniqi, e megjithatë të gjitha këto vrasje të rënda mbeten enigmatike dhe atëherë e sot u heshtën e nuk u hetuan as nuk u zbardhën kurrë”, tregon ai.
Ai theksoi se Konushevci kishte edhe një zënkë me Xhavit Halitin, kjo për shkak se armatimi që grumbullohej në Shqipëri po shitej me çmime të larta për UÇK-në, ndërsa furnizimi ishte disa herë më i ulët.
“Përderisa për rastin e Ilir Konushevcit, përmendet se ai kishte një zënkë me Xhavit Halitin, për shkak se armatimi që grumbullohej në Shqipëri, nga Xhavit Haliti & Co, blihej lirë, por i shitej me çmime të ngritura shumëfish, UÇK-së. Sa i takon gazetarit Ali Uka, sipas dokumentacionit të NATO-së, të publikuar asokohe në gazetën britanike “The Guardian”, drejtpërsëdrejti e bëjnë përgjegjës pikërisht Hashim Thaçin. Në të njëjtin dokument (të NATO-s), lidhur me vrasjen e zëdhënësit të UÇK-së, gazetarit Ali Uka, serish përmenden mosmarrëveshjet që edhe ai kishte pasur me Xhavit Halitin, pasi që gazetari Ali Uka, po bëhej personalitet gjithnjë e më i njohur, si zëdhënës i parë i UÇK-së në Shqipëri”, thotë ai.
Ai tutje deklaron se, Konushevci ishte dhe ndër themeluesit dhe udhëheqësit e parë të logjistikës së UÇK-së.
“Iliri Konushevci ishte njëri ndër themeluesit e UÇK-së në Llap e rrethinë si dhe ndër themeluesit dhe udhëheqësit e parë të logjistikës së UÇK-së në shtetin amë në Shqipëri, por përkundër rolit dhe personalitetit të çmuar të tij, edhe vrasja enigmatike e Ilirit, mbeti mister dhe sot e atëherë nuk u zbardhë kurrë. E sipas shkrimeve në media, kjo ndodhi pikërisht me përfshirje në fshehje të vrasjes, nga vet Fatos Nanos, pasi që Iliri nuk merrte armatim nga klanet e Nanos, që atëherë ishte kryeministër i vendit, i cili edhe institucionin më të rëndësishëm të vendosjes së rendit dhe të ligjit, e kishte kthyer në institucion të pandëshkueshmërisë, për mosndëshkimin e qëllimshëm të autorëve, që kanë kryer vrasje për arsye politike, në favor të partisë dhe interesave të klaneve të tij”, deklaron Qarri.
Në fund, Konushevci u vra në pritë dhe nuk u zbulua kurrë nga asnjë qeveri, as në Shqipëri.
Ai shton se në Shqipëri dhe në Kosovë gjykatat janë morbide, të cilat për më se një çerek shekulli, nuk kanë guxuar, ta bëjnë qoftë edhe vetëm inicimin ligjor të ndonjërit nga rastet e veçanta si ai për Ilir Konshuvcin, Ali Ukën apo Ahmet Krasniqin.
“Ilir Konushevci u vra në një pritë, së bashku me mjekun Hazir Mala, mëngjesin e hershëm të 9 majit të vitit 1998, nga një bandë kriminelësh të mirorganizuar, që asokohe vepronin lirshëm kudo në Shqipëri, e veçanërisht në veri të saj, derisa po udhëtonin me një kamion të mbushur me municion e armatime për UÇK-në, në drejtim të Bajram Currit. Enigma e atentatit ndaj tyre, vazhdon edhe sot, 24 vite pas vrasjes, të mbetet mister, më vete, e pa hetuar dhe e pazbardhur asnjëherë, nga asnjë qeveri shqiptare, qoftë socialiste apo demokrate, që për më tepër se dy dekada shkuan dhe erdhën në pushtet në Shqipëri. Dhe përveç fakti se rasti i vrasjes së Ali Ukës kurrë nuk u zbardh plotësisht, as gjykimi farsë, nuk u çua asnjëherë deri në fund nga gjykatat politike të Shqipërisë”, thotë Qarri.
Sipas tij është shumë e habitshme se si as gazetarët “investigativ” në Shqipëri, kurrë nuk hodhën dritë mbi vrasjen e tij dhe vrasjet tjera enigmatike, si për rastin e Ali Ukës edhe për vrasjen e Ilir Konushevcit, Ahmet Krasniqi etj, që ndodhën në Shqipëri, për mbi 24-25 vite me radhë.
“Të gjitha këto vrasje enigmatike që u organizuan vetëm brenda pak më tepër se një viti në Shqipëri, përfshirë edhe atentatin makaber kundër kolonelit Ahmet Krasniqi, mu në kohën kur ai bënte përgatitjet e fundit, për tu futur edhe personalisht në Kosovë, që ta merrte në dorë, drejtimin e luftës çlirimtare kundër forcave okupatore të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, nuk u hetuan as nuk u zbardhën kurrë, në Shqipëri e as në Kosovë”, thotë Qarri.
Sipas tij kjo ndoshta meqë ata që organizuan vrasjet kishin kontrollin e plotë ndaj drejtësisë, sipas opinionit të avoktatit Ngjela.
“Kjo ndodhi mbase për vet faktin se siç shprehet edhe avokati i mirënjohur shqiptar Spartak Ngjela, urdhërdhënësit e këtyre atentateve dhe të gjitha vrasjeve tjera enigmatike, edhe pas përfundimit të luftës, kishin policitë e veta kriminale, të cilat, me asnjë kusht, për më tepër se dy dekada, nuk lejuan zbardhjen e tyre, ashtu siç nuk u zbardhën as mbi 1600 vrasjet që ndodhën pas luftës në Kosovë”.
Sipas tij shansa e vetme mbetet gjykata speciale.
“Kështu që duke pasur parasysh paaftësinë e gjykatave morbide në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat për më se një çerek shekulli, nuk kanë guxuar, ta bëjnë qoftë edhe vetëm inicimin ligjor të ndonjërit nga rastet e veçanta si ai për Ilir Konshuvcin, Ali Ukën apo Ahmet Krasniqin. E vetmja shpresë, për zbardhjen e autorëve dhe urdhërdhënësve të vrasjeve makabre, mbetet gjykata speciale, si shansi i fundit i zbardhjes përfundimtare të këtyre vrasjeve, pasi që as pas 24-25 vitesh të kaluara, nuk ka jo vetëm akuzë, por edhe asnjë hetim të vetëm, të filluar nga shteti i Kosovës, apo ai i Shqipërisë!”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.
Haziri: Tek Ilir Konushevci dhe Hazir Mala motivi i vrasjes ishte plaçkitja e armëve
Edhe Nexhat Haziri, për “Bota sot”, ka vlerësuar mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani, e cila kërkoi drejtësi për Konushevcin e Hazirin.
Sipas tij, nga kjo vrasje askush nuk ndërmori qoftë edhe një nismë sado formale për hetim dhe zbardhjen e vrasjes së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës.
“Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn në 24-vjetorin e rënies. Kryetarja e shtetit, duke vlerësuar kontributin e këtyre dy figurave në çlirimin e vendit, tha se për Ilirin e Hazirin duhet drejtësi, ndërkaq kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm. Deklaratë e guximshme e presidentes Osmani. Me sa kujtoj është zyrtarja e parë e shtetit që në këto 24 vite pas vrasjes së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës kërkon drejtësi për dy heronjtë e Kosovës. Ilir Konushevcin dhe Hazir Malën nuk i vrau Serbia, ata u vranë në territorin shqiptar nga banda e haklajve, me të cilët kishin lidhje të ngushta SHP i UÇK-së së Rognerit, në veçanti Xhavit Haliti dhe qeveria e majtë shqiptare e kohës në Tiranë. Motivi i vrasjes ishte plaçkitja e armëve, ku të njëjtat sërish u janë shitur UÇK-së përmes tyxharëve të SHPUÇK-së së Rognerit. Plot 24 vite nga kjo vrasje askush nuk ndërmori qoftë edhe një nismë sado formale për hetim dhe zbardhjen e vrasjes së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës”.
Në fund shton se, edhe krerët që ishin atë kohë në krye të Shqipërisë, nuk e thanë asnjë fjalë për ekzekutimin e Ilir Konushevcit e Hazir Malës.
“Asnjëherë nuk më ka rastisë të kem dëgjuar ish-eksponent të UCK-se apo ndonjë zyrtar të qeverisë shqiptare të kohës të kenë kërkuar drejtësi për Ilirin dhe Hazirin. Për çudi, as “supermenet” e UÇK-së nga Shqipëria nënë si gjeneral kontrabandisti Kudusi Lame e as gjahtari i vrasjeve dhe i përndjekjeve të pjesëtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe i implikuari në vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, ish-shefi i SHISH-it Fatos Klosi, nuk e thanë asnjë fjalë se kush i ekzekutoi Ilir Konushevcin e Hazir Malën. Andaj sot fuqishëm jam me presidenten Osmani dhe me thirrjen e saj: Drejtësi për heronjtë e Kosovës, për Ilirin dhe Hazirin”, përfundon Haziri.