Forcat ruse kanë sulmuar më shumë se 40 qytete në rajonet lindore Donbas dhe Luhansk, raporton ushtria e Ukrainës.
“Okupatorët qëlluan në më shumë se 40 qytete në rajonin Donetsk dhe Luhansk, duke shkatërruar ose dëmtuar 47 vende civile, duke përfshirë 38 shtëpi dhe një shkollë. Si rezultat i këtij bombardimi pesë civilë vdiqën dhe 12 u plagosën”, shkroi në Facebook Task Forca e Përbashkët e Ukrainës.
Në muajin e kaluar, rusët kanë pasur fokusin e tyre në marrjen e kontrollit të plotë të rajonit të Donbasit.
Rusia ka dërguar mijëra trupa në rajon, duke sulmuar nga të tre anët në një përpjekje për të rrethuar forcat ukrainase që qëndrojnë në qytetet Severodonetsk dhe Lysychansk. Rënia e tyre do ta linte të gjithë provincën Luhansk nën kontrollin rus, një synim kryesor i luftës së Kremlinit.
Të dielën, Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Gaidai, kishte akuzuar Rusinë për miratimin e një “qasjeje të tokës së djegur” në përpjekjet e saj për të kapur qytetin Severodonetsk.
Ai paralajmëroi se forcat ruse kanë shkatërruar të gjitha, përveç një ure, mbi lumin Donets dhe tha se qyteti është në rrezik të shkëputjes.