Eksportet e vajit të lulediellit, grurit apo misrit janë kyçe jo vetëm për ekonominë ukrainase, por edhe për vendet që investojnë para në blerjen e këtyre produkteve. Por, pushtimi rus ka reduktuar shumë kapacitetin bujqësor të vendit.
Në fakt, Ukraina, deri në vitin 2021, ka qenë lider në eksportet e vajit të lulediellit dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të produkteve si misri, elbi dhe gruri. Vitin e kaluar janë prodhuar 32 milionë tonë grurë, ndërsa për pjesën tjetër të produkteve janë arritur mbi 50 tonë. Që nga fillimi i konfliktit, mungesa e drithit ka shkaktuar një rritje të çmimeve të ushqimeve në mbarë botën.
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, foli për BBC për përdorimin e kësaj “arme të re” nga Kremlini: “Putini po përdor të korrat e Ukrainës për qëllime ushtarake dhe si një mjet shantazhi për pjesën tjetër të botës”.
Morawiecki u shpreh në të njëjtën kohë se Putin “është i interesuar për një luftë tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
Në të njëjtën kohë, kryeministri polak e krahasoi situatën aktuale me atë që “bëri Stalini në vitin 1933”. Në atë vit, të korrat ushqimore u plaçkitën, duke shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve në vitet ‘30. Sot, të korrat e Ukrainës janë një nga objektivat kryesore të trupave ruse. Sulmet e tyre kanë çuar në një bllokim, si në prodhim, ashtu edhe në eksporte drejt vendeve të tjera.
Kievi i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të krijojë “një korridor të sigurt” që lejon eksportet e grurit në vende të tjera dhe që, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë i bllokuar nga trupat ruse.
Për këtë ka folur edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila përmendi një nga rreziqet që sjell pushtimi rus i eksporteve të drithit: “Rusia po përdor urinë dhe grurin për të ushtruar pushtetin. Bashkëpunimi global është ilaçi ndaj shantazhit rus”./A2CNN