Gazetari rus, fitues i çmimit “Nobel”, Dmitry Muratov ka nxjerrë në ankand medaljonin e tij për të mbledhur para për refugjatët ukrainas që ikin nga pushtimi rus.
Ofertat do të pranohen deri më 20 qershor, sipas shtëpisë së ankandeve “Heritage Auctions”, me qendër në Dallas, Teksas. Të ardhurat do t’i jepen UNICEF-it për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve ukrainas.
Muratov është kryeredaktor i “Novaya Gazeta”, një gazetë e pavarur ruse e njohur për qëndrimin e saj kritik dhe investigativ ndaj Kremlinit, i cili ndaloi aktivitetin e saj në Rusi në fillim të këtij viti, nga frika se mos binte ndesh me ligjet që penalizojnë kritikat për pushtimin.
Muratov, 60 vjeç, u nderua me çmimin “Nobel” për Paqen vitin e kaluar së bashku me gazetaren filipinase, Maria Ressa për përkushtimin e tyre ndaj lirisë së shtypit. Të dy ndanë një çmim prej 10 milionë kronash suedeze (rreth 1 milion dollarë), të cilin Muratov e dhuroi për bamirësi.