Tomas Tuhel, trajneri i Çelsit, do të takohet këtë javë për herë të parë me Tod Bohli, pronarin e ri të klubit. Miliarderi i cili bleu klubin nga Roman Abramoviq, është gati të bëjë lëvizje të rëndësishme në merkato dhe në strukturën mbi të cilën punohet në radhët e londinezëve.
Pritet që këtë të mërkurë ose të enjte, Tuhel dhe Bohli të ulen të diskutojnë mbi mënyrën e re se si do të kryhet merkato, pasi trajnerit t’i vihen në dispozicion mbi 200 milionë paund për të përforcuar ekipin. Çeh dhe Granovskaia, këtë verë do të jenë në dispozicion të tij, duke kërkuar lojtarë që i interesojnë teknikut gjerman, me udhëzime të qarta të tij mbi emrat që do.
Kështu, edhe Çelsi do të orientohet në mënyrën e punës së Mançester Sitit dhe Liverpulit, ku merkaton praktikisht e bëjnë Guardiola dhe Klop, të cilët zgjedhin lojtarët për të cilët duhet të interesohet klubi. Paralelisht me investimet, do të flitet edhe për ata që largohen dhe vendimet e kësaj mbledhje mund të jenë shumë të rëndësishme edhe për Armando Brojën.
Romelu Lukaku raportohet se i ka bërë të ditur klubit se kërkon të largohet e kështu, do të hapej një mundësi e artë për Brojën që të ishte pjesë aktive e skuadrës së parë të Çelsit në edicionin e ardhshëm. Londinezët zotërojnë kartonin e futbollistit shqiptar dhe në varësi edhe të asaj që do të diskutohet në këtë mbledhje për sulmuesit që do të mbeten pjesë e ekipit apo do të largohen, do të merret vendimi edhe për Brojën i cili pritet që gjithsesi të nisë fazën përgatitore me blutë sipas kërkesës së vetë Tuhel./Panoramasport