Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas arritjes së tyre në Kiev, kanë vizituar zonat e qyteteve më të shkatërruar nga lufta që nisi Ukraina më 24 shkurt.
Me ndihmën e një përkthyesi, Rama dhe Abazoviq dëgjuan rrëfimet për tmerrin e përjetuar, sidomos në fillim të pushtimit, të vendasve.
Njëri prej tyre iu tregoi dy udhëheqësve ballkanikë se rusët sulmuan shtëpitë private dhe penguan edhe evakuimin e civilëve.
“Ndërtesat në këtë zonë kanë qenë të banorëve, s’ka pasë ushtarë. Ju mund t’i shihni – janë totalisht të shkatërruara. Bashkë me qeverinë ne vendosëm që qysh në fillim të luftës t’i evakuojmë gjithë popullatën. Në total kishim 100 mijë njerëz. Për tri ditë njerëzit i evakuuam me tren, por në ditën e katërt ata bombarduan linjat hekurudhore dhe treni u hoq nga linjat dhe s’mundëm të procedonim. Kështu që, neve na u desh të përdorim rrugë të tjera… për t’i dërguar njerëzit në vende të sigurta”, tha ai.
Ai shtoi se sulmet më të tmerrshme me artileri të rëndë u kryen në fillim të pushtimit.
Para Irpinit, Abazoviq përmes Twitter, njoftoi se ata vizituan qytetin e Borodiankas, një qytet në rajonin e Kievit.
“Menjëherë pas mbërritjes vizituam Borodiankan, një qytet që u shkatërrua në fillim të pushtimit. Ne jemi dëshmitarë të shkatërrimit të madh që shkaktoi lufta. Së bashku me Edi Ramën lutemi për paqe dhe qëndrojmë të vendosur krah qytetarit”, ka shkruar Abazoviq.
Kryeministri malazez solli pamje të drejtpërdrejta në llogarinë e tij në Facebook nga kjo vizitë.