Nga Vladislav Zubok “Foreign Affairs”
Më 9 maj 2022, një kolonë tankesh dhe artilerie parakaloi në Sheshin e Kuq të Moskës.
Mbi 10.000 ushtarë marshuan nëpër rrugët e qytetit. Ishte e Ditës së Fitores, në të cilën Rusia përkujton triumfin e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Presidenti Vladimir Putin, mbajti një fjalim duke vlerësuar ushtrinë dhe forcën e vendit të tij: “Mbrojtja e atdheut tonë kur ka qenë në rrezik, ka qenë gjithmonë një mision i shenjtë. Ne nuk do të dorëzohemi kurrë!”. Putin po fliste për të kaluarën, por edhe për të tashmen, me një mesazh të qartë për pjesën tjetër të botës: Rusia është e vendosur të vazhdojë luftën e saj kundër Ukrainës.
Lufta duket shumë ndryshe në rrëfimet e Putinit sesa për Perëndimin. Sipas tij, ajo është e drejtë, e guximshme, dhe e suksesshme. Në realitet, trupat ruse janë përballur me rezistencë të ashpër nga ukrainasit, dhe ato nuk arritën të pushtonin Kievin dhe të rrëzonin qeverinë e Ukrainës.
Por për Putin, fitorja mund të jetë i vetmi rezultat i pranueshëm publikisht. Asnjë rezultat alternativ nuk diskutohet hapur në Rusi. Por këto të fundit diskutohen në Perëndim, i cili ka qenë gati i ngazëllyer për suksesin e Ukrainës. Dështimet ushtarake të Rusisë e kanë rigjallëruar aleancën transatlantike.
Madje në një moment e kanë bërë Moskën të duket si një fuqi kleptokratike e shkallës së tretë. Shumë politikë-bërës dhe analistë po ëndërrojnë tani që konflikti të përfundojë jo vetëm me një fitore të Ukrainës. Ata shpresojnë që regjimi i Putin të pësojë të njëjtin fat si Bashkimi Sovjetik: shembjen, raporton abcnews.al.
Kjo shpresë është e dukshme në shumë artikuj dhe fjalime që bëjnë krahasime midis luftës katastrofike të Bashkimit Sovjetik në Afganistan dhe pushtimit rus të Ukrainës. Lufta, thonë ata, do ta dëmtojë mbështetjen e rusëve për Kremlinin, teksa po shtohen humbjet dhe sanksionet që po e dërrmojnë ekonominë ruse.
Të shkëputur nga qasja tek mallrat, tregjet dhe kultura perëndimore, si elitat po ashtu edhe rusët e zakonshëm, do të nervozohen gjithnjë e më shumë me Putin, ndoshta duke dalë në rrugë për të kërkuar një të ardhme më të mirë. Në fund, Putin dhe regjimi i tij mund të bien nga një grusht shteti apo nga një valë protestash masive.
Por ky mendim bazohet tek një lexim të gabuar të historisë. Bashkimi Sovjetik nuk u shemb për arsyet që tregojnë perëndimorët: një humbje poshtëruese në Afganistan, presioni ushtarak nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, tensionet nacionaliste në republikat e saj përbërëse dhe ardhja e demokracisë.
Në realitet, ishin politikat e gabuara ekonomike sovjetike dhe një seri gabimesh politike nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev, ato që sollën vetë-shkatërrimin e këtij vendi. Dhe Putin ka mësuar shumë nga kolapsi sovjetik, duke arritur të shmangë kaosin financiar që e rrënoi shtetin sovjetik, pavarësisht sanksioneve të shumta.
Rusia sot ka një kombinim shumë të ndryshëm të qëndrueshmërisë dhe cënueshmërisë, nga ai që karakterizoi Bashkimin Sovjetik të epokës së vonë. Kjo histori ka rëndësi, pasi duke menduar për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj, Perëndimi duhet të shmangë projektimin e keqkuptimeve të tij për rënien sovjetike në Rusinë e sotme.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Perëndimi është i pafuqishëm, në formësimin e së ardhmes së Rusisë. Regjimi i Putin është më i qëndrueshëm se ai i Gorbachev. Por nëse Perëndimi do t`ia dalë të qëndrojë i bashkuar, ai mund të jetë ende në gjendje të minojë dalëngadalë fuqinë e presidentit rus.
Me pushtimin e Ukrainës, Putini ka bërë një gafë të madhe, e cila ka nxjerrë na pah dobësitë e regjimit. Një ekonomi ruse, shumë më e ndërvarur nga ekonomitë perëndimore sesa paraardhësja e saj sovjetike, dhe një sistem politik shumë i centralizuar, të cilit i mungojnë mjetet për mobilizimin politik dhe ushtarak që zotëronte dikur Partia Komuniste. Nëse vazhdon lufta në Ukrainë, Rusia do të bëhet një aktore ndërkombëtare më pak e fuqishme. Madje, një pushtim i gjatë në kohë, mund të çojë në atë lloj kaosi që e rrëzoi dikur Bashkimin Sovjetik.
Por udhëheqësit perëndimorë, nuk mund të shpresojnë për një fitore kaq të shpejtë dhe vendimtare. Edhe për një të ardhme të parashikueshme, ata do të duhet të përballen me një Rusi autoritare, sado e dobësuar qoftë ajo, raporton abcnews.al.
Në SHBA dhe Evropë, shumë ekspertë supozojnë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte e pashmangshme. Sipas kësaj narrative, Bashkimi Sovjetik ishte fosilizuar prej kohësh si ekonomikisht po ashtu edhe ideologjikisht. Përpjekjet e Gorbachev për liberalizim ishin qëllim-mira, por nuk mund ta shpëtonin një sistem që po vdiste.
Tek kjo histori ka disa të vërteta. Bashkimi Sovjetik nuk mund të rivalizonte kurrë me sukses ushtarakisht apo teknologjikisht me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Udhëheqësit sovjetikë u përpoqën shumë që të arrinin Perëndimin, por vendi i tyre mbeti gjithmonë prapa tij.
Në fushën e betejës së ideve dhe imazheve, liria dhe prosperiteti perëndimor ndihmuan në përshpejtimin e rënies së ideologjisë komuniste, pasi elitat e reja sovjetike humbën besimin te komunizmi, dhe fituan një interes të madh për mallrat e huaja, udhëtimet dhe kulturën popullore perëndimore. Dhe projekti perandorak sovjetik u përball me pakënaqësi dhe përbuzje nga pakicat e brendshme etnike.
Putin i di mirë këto. Presidenti aktual rus deklaroi dikur se “shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike” e shekullit XX. Ndaj ai e ka strukturuar regjimin e tij në mënyrë të tillë që të shmangë të njëjtin fat. Ai e kuptoi se Marksi dhe Lenini e kishin pasur gabim në lidhje me ekonominë, dhe është përpjekur të kuptojë se si mund të mbijetonte Rusia, dhe njëherazi të lulëzonte nën kapitalizmin global.
Ai solli në qeveri ekonomistë të aftë, dhe e bëri stabilitetin makroekonomik dhe buxhetin e balancuar ndër prioritetet e tij kryesore. Gjatë dekadës së parë të sundimit të tij, rritja e çmimeve të naftës i mbushi arkat e Rusisë, dhe Putini shleu shumë shpejt borxhin prej 130 miliardë dollarësh që Rusia i detyrohej bankave perëndimore.
Ai i mbajti në minimum nivelet e borxheve të ardhshme, dhe qeveria e tij filloi të grumbullonte rezerva në valutë dhe ar. Kur Putin aneksoi Krimenë në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj naftës ruse dhe industrive të tjera, dhe çmimet e naftës ranë po aq sa në kohën e Gorbachev, raporton abcnews.al.
Por qeveria ruse reagoi me shkathtësi. Nën drejtimin e kreut të Bankës Qendrore Elvira Nabiullina dhe Ministrit të Financave Anton Siluanov, qeveria ruse lejoi zhvlerësimin e rublës, duke e rivendosur stabilitetin makroekonomik. Pas një rënieje të shkurtër, ekonomia ruse u ringjall. Edhe gjatë pandemisë COVID-19, vendi ruajti një disiplinë fiskale të rreptë. Ndërsa shtetet perëndimore shtypën triliona dollarë për të subvencionuar ekonomitë e tyre, Rusia e rriti suficitin e saj buxhetor. Ekonomistët e qeverisë ruse “janë më të shenjtë sesa Papa në zbatimin” e qasjes së mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, thotë Dmitry Nekrasov, një ish-ekonomist që ka punuar në qeverinë ruse.
Deri në fillim të këtij viti, shteti i Putin kishte grumbulluar më shumë se 600 miliardë dollarë rezerva financiare, një nga më të mëdhatë në botë. Ai besonte se ato do t’i jepnin mundësi vendit që të zbehte rolin e sanksioneve perëndimore. Por përgjigja financiare e Perëndimit ishte shumë më e ashpër nga sa priste ai.
Ekspertët parashikuan kolapsin e monedhës ruse dhe shpërthimin e protestave të mëdha që mund të sillnin rrëzimin e Putinit. Por asnjë nga këta skenarë nuk u realizua. Në fillim rubla u dobësua, por Nabiullina dhe Siluanov vepruan shpejt për ta shpëtuar atë. Nëse Gorbachev do të ishte ndihmuar nga ekspertë të tillë, Bashkimi Sovjetik mund të kishte mbijetuar.
Por Perëndimi duket i përgatitur në vazhdojë qasjen e tij, ndërsa sfidë mbetet ruajtja e unitetit. Në terma afatgjatë, është e mundur të imagjinohet se ato do ta dobësojë seriozisht shtetin rus. Separatizmi mund të rritet apo të rikthehet në disa rajone si Çeçenia, nëse Kremlini ndalon pagesat bujare ndaj banorëve të tyre.
Por edhe një Rusi shumë më e dobët, nuk është e destinuar të pësojë një shpërbërje të stilit të Bashkimit Sovjetik. Separatizmi kombëtar nuk është aq një kërcënim për Rusinë e sotme, ku afërsisht 80 për qind e qytetarëve të vendit e konsiderojnë veten si rusë etnikë, siç ishte dikur për Bashkimin Sovjetik.
Megjithatë, Perëndimi duhet të qëndrojë në rrugën që ka nisur, pasinë fund të fundit kjo do të jetë një periudhë në të cilën Ukraina dhe Perëndimi duhet të bashkëjetojnë me një shtet rus të dobësuar dhe të poshtëruar, por që mbetet ende autokratik.
Marrë me shkurtime
Shënim:Vladislav Zubok, profesor i historisë ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës, dhe autor i librit “Rënia e Bashkimit Sovjetik”.