Sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë janë “një goditje e drejtpërdrejtë për popullsinë e Rusisë, për qytetarët e zakonshëm”, tha ambasadori rus në SHBA.
“Sulmet e pandërprera të administratës (Biden) në formën e sanksioneve demonstrojnë aspiratat e vërteta të Shteteve të Bashkuara”, tha ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov.
“Çuditëse janë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të na e vështirësuar shërbimin e borxhit tonë publik. Ne i shohim në këto përpjekje si një dëshirë për të njollosur reputacionin e Rusisë, e cila, megjithë barrierat ekonomike të ndërtuara nga Uashingtoni, vazhdon të përmbushë detyrimet e saj të borxhit në mirëbesim dhe në kohën e duhur”, tha Antonov.
Përgjigja e tij vjen pasi Presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi të mërkurën sanksione të reja që synojnë institucionet më të mëdha financiare të Rusisë, Sberbank dhe Alfa Bank, si dhe individë, duke përfshirë dy vajzat e rritura të Presidentit Vladimir Putin, gruan, vajzën e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov.
Lëvizja nga Uashingtoni është në përgjigje të vdekjeve të civilëve të zbuluara në pjesë të Ukrainës që më parë ishin të pushtuara nga forcat ruse.
“Ne do të vazhdojmë të rrisim koston ekonomike dhe të rrisim dhimbjen për Putinin dhe të rrisim më tej izolimin ekonomik të Rusisë,” tha Biden, duke i përshkruar vdekjet e civilëve si “krime të mëdha lufte”.balkanweb.