Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën, më 13 prill, se blerja e sistemit raketor anti-ajror të Kinës FK-3 është “legjitime, plotësisht e rregullt dhe transparente”.
Përmes kësaj deklarate, Vuçiq ka konfirmuar për herë të parë se avionët transportues kinezë i kanë dorëzuar Serbisë më 9 prill pjesë të sistemit të mbrojtjes tokë-ajër FK-3.
Dorëzimi i armëve kineze, për të cilin Serbia ra dakord me Kinën në vitin 2019, ndodhi në kohën e pushtimit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve të vendeve evropiane se armët shtesë në Ballkanin Perëndimor gjatë luftës, mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjatë një video mesazhi të publikuar në ueb faqen e Presidencës serbe, Vuçiq ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin malazez Millo Gjukanoviq – të cilët kritikuan blerjen e armëve nga Kina – për një “fushatë gënjeshtrash” kundër Beogradit dhe përhapjen e “urrejtjes së zhveshur ndaj serbëve dhe Serbisë”.
Vuçiq ka thënë se Gjukanoviq dhe Kurti e përdorën blerjen e armëve për t’i thënë botës se “Serbia është mike kineze dhe ruse dhe se kërcënon dikë, edhe pse është në një mjedis të NATO-s”.
“Ata nuk dinë të thonë se si i rrezikojmë me armë mbrojtëse, sepse është një sistem që shërben për t’u mbrojtur nga raketat dhe avionët që do të cenonin hapësirën ajrore të Serbisë. Si po e rrezikojmë Prishtinën dhe Podgoricën? Çfarë forcash ajrore kanë ata? Më mirë po të kishim blerë sprej autan (kundër insekteve)”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb kritikoi akuzat e Kurtit se Serbia i bleu ato armë sepse ishte në panik se do të mbetet e vetmuar, dhe po ashtu i ofendoi liderët e vendeve fqinje.
“Serbia, si një vend neutral ushtarak, është e vetme në rajonin e gjerë. Në cirk, ju keni parë luanë, elefantë, tigra, por nuk e keni parë kurrë një ujk të vetmuar. Unë më me dëshirë do të isha gjithmonë një ujk i vetmuar sesa një hienë e paturpshme dhe e pamoralshme… Është edhe më keq të jesh mizë që sillet rreth hienës dhe pret t’i sillet një pre, siç janë Kurti dhe Gjukanoviq”, ka thënë Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 12 prill se Qeveria është e shqetësuar që Serbia ka blerë armë nga Kina, por jo e frikësuar.
“Serbia më duket se ndodhet në një lloj paniku kur po e vëren që nuk mund të qëndrojë në tre-katër ulëse njëkohësisht. Ajo po përpiqet që të forcohet për vete, sepse ndoshta mund të ngelet e vetmuar. Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe për Republikën e Kosovës, mirëpo në anën tjetër, është shprehje e frikës së tyre se mund të ngelen të vetmuar”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Presidenti malazez Millo Gjukovanoviq ka shprehur gjithashtu shqetësim për prokurimin e armëve kineze në Serbi.
“Kjo është një tendencë e vazhdueshme e armatimit të Serbisë me armë nga vendet që po shfaqen tani, jo vetëm si konkurrentë, por armiq të dukshëm të Evropës dhe NATO-s”, ka thënë Gjukanoviq në Podgoricë më 12 prill, pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për blerjet e armëve nga ana e Serbisë në Rusi dhe Kinë, sepse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, pritet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian./REL