Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se kriza e rritjes së çmimeve nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por të gjithë Europën. Për këtë, ai bëri të ditur edhe faturën e tij të dritave në Spanjë.
“Po paguaja faturën e energjisë në Spanjë, nga 50 euro, tani ka shkuar 500 euro. Dhe kjo ka ndodhur në të gjithë Europën. Nafta është më shumë se 2 euro litri, duke u rritur me 20%”, tha ai nga Tirana.
Ai shtoi se Rusia po e përdor varësinë e Europës nga gazi si armë. “E di që keni hasur shqetësime mjaft të mëdha. Në mendjen e të gjithë qytetarëve është rritja e çmimeve, jo vetëm në Shqipëri. Nuk janë pasojat e sanksioneve, sepse nuk ka pasur të bëjë fare me sanksionet. Por është një proces që ka nisur me rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, që është pasojë e varësisë që të gjithë kemi ndaj Rusisë dhe tashmë Rusia po e përdor si luftë”.
Borrell tha gjithashtu se ky është një moment kritik për Europën dhe të gjithë botën. “Është e tmerrshme sesi udhëheqja ruse vijon të sulmojë Ukrainën pa dallim. Nuk është thjesht një luftë në kuptimin ushtarak, por kundër civilëve. Forcat e Armatosura ruse po shkaktojnë vdekje e dëshpërim.
Por të gjithë kemi parë qëndresën e madhe të popullit të Ukrainës”.
Ai vlerësoi rolin e vendit tonë në këtë moment historik. “Shqipëria është një ndër partnerët më të besueshëm të BE-së në botë. Në këtë sprovë, Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare. Dëshiroj të falënderoj punën e saj në arenën ndërkombëtare, si pjesë e Këshillit të sigurimit të OKB-së”.