Nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për një embargo të plotë ose tarifa ndëshkuese ndaj importeve të naftës dhe gazit rus, tha të hënën kryediplomati i BE-së Josep Borrell.
“Për momentin, ne në BE nuk kemi një qëndrim të unifikuar për këtë çështje”, është shprehur Borrell për gazetën gjermane Die Welt.
Eksportet e naftës janë burimi kryesor i valutës së huaj të Kremlinit dhe shumë brenda BE-së kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund pagesave të naftës, sepse ato financojnë në mënyrë efektive luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e quan një “operacion ushtarak special”.
Disa vende të BE-së po bëjnë presion për një paketë të gjashtë sanksionesh ndaj Rusisë dhe Brukseli po përgatit një vlerësim të plotë të ndikimit të një ndalimi të naftës, si pjesë e masave të mëtejshme të mundshme.
Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Evropë, duke siguruar pak më shumë se një të katërtën e importeve të naftës në BE në vitin 2020, sipas të dhënave nga zyra e statistikave të bllokut Eurostat.
Borrell theksoi se kjo do të diskutohet në samitin e ardhshëm të BE-së, që do të mbahet në fund të muajit të ardhshsëm.
“Një propozim përfundimtar për një embargo ndaj naftës dhe gazit nuk është ende në tryezë”, tha ai.
Komisioni i BE-së ndoshta do të bëjë propozime për një paketë të gjashtë sanksionesh për shtetet anëtare këtë javë, tha Die Welt, pa cituar burime, transmeton Klankosova.tv.Të gjitha shtetet e BE-së po punojnë për të shkurtuar varësinë e tyre nga nafta dhe gazi rus, tha Borrell, duke shtuar se ai besonte se blloku do të jetë në gjendje të reduktojë varësinë e tij përfundimisht.
“Në një moment do të ndodhë dhe atëherë Rusia do të ndjejë dhimbje se të ardhurat nga biznesi i naftës dhe gazit po humbasin”, shtoi ai.