Autoritetet ruse kanë anuluar paradën dhe marshimin për Ditën e Fitores në dy republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Lugansk. Por Ukraina akuzon: “Duan që të bëjnë të marshojnë qytetarët e Mariupolit si të burgosur”.
Autoritetet ruse kanë vendosur të anulojnë paradën e 9 majit në republikat e vetëshpallura popullore të Donetsk dhe Lugansk: këtu nuk do të mbahen parada dhe marshimi me rastin e Ditës së Fitores, ditë në të cilën rusët festojnë fitoren mbi nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për anulimin e para që nga 2014, kur separatistët filorusë morën kontrollin e këtyre territoreve ukrainase.
Vendimi i rusëve
Lajmërimi erdhi direkt nga Sergei Kiriyenko: zëvendës shefi i administratës presidenciale ruse që bëri të ditur se parada e Fitores dhe marshimi i Regjimentit të Pavdekshëm në 9 maj në Donetsk dhe Lugansk “janë të pamundura të mbahen”. Megjithatë Kiriyenko, siç raporton agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti”, ka bërë një saktësim jo të vogël: “Ai moment do të arrijë shpejt dhe parada e Fitores do të parakalojë nëpër rrugët e qytetit të Donbas”.
Që në fund të prillit, Denis Pushilin, lideri i republikës së vetëshpallur të Donetsk, kishte pohuar se parada nuk do të zhvillohej për shkak të rrezikut nga bombardimet. Motiv për të cilin është vendosur shtyrja e ngjarjes derisa rajoni të jetë “komplet i çliruar nga pushtimi ukrainas”.
Parada në Mariupol
Ukraina ka drejtuar një akuzë kundër Rusisë, që është duke provuar të organizojë një paradë ushtarake në qytetin e Mariupolit për 9 majin. Lyudmila Denisova, komisionere për të drejtat e njeriut në Parlamentin ukrainas, ka hedhur dritë mbi planet e Moskës: rusët kanë si qëllim të bëjnë të marshojnë “qytetarët tanë” në paradën e 9 majit në Mariupol si të “burgosur”.
Në orët e kaluara është folur për një zyrtar të administratës presidenciale ruse që ka ardhur në qytetin port strategjik për të mbikëqyrur planet e festës.
Vadym Boichenko, kryebashkiak i Mariupolit, ka nënvizuar në televizionin ukrainas se janë në zhvillim e sipër “punët” në qytet sikur rusët po përgatiten për diçka të rëndësishme.
Burime të inteligjencës të ministrisë së Mbrojtjes ukrainase shtojnë se në rrugët kryesore të qytetit po zhvillohen operacione pastrimi, duke larguar mbeturinat, çaktivizimi i minave të pashpërthyera dhe duke transferuar kufomat e viktimave që kanë mbetur nëpër rrugë. Në të njëjtën kohë, ukrainasit denoncojnë për një fushatë propagande “në shkallë të gjerë”, gjatë së cilës rusët mund të tregojnë “histori ‘gëzimi’ të njerëzve vendas në takimin me pushtuesit”.infoshqip.