Serbia është e gatshme të jetë ndërmjetësuese në dialogun mes Rusisë dhe Ukrainës në nivel të lartë në çdo kohë, nëse të dyja palët e dëshirojnë këtë.
Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.
“Miku im, Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, së fundi në një bisedë me gazetarët serbë foli pozitivisht për këtë mundësi dhe më vjen mirë për këtë. Serbia është e gatshme t’i ofrojë shërbimet e saj të mira diplomatike dhe marrëdhëniet miqësore për të dyja palët në çdo kohë duan ta përdorin atë”, tha Daçiq në një intervistë për gazetën ruse “Izvestia”.
Ai theksoi se Serbia, përkundër presionit nga Perëndimi dhe statusit të kandidatit për në BE, nuk do t’i bashkohet sanksioneve antiruse sepse, siç tha ai, janë në rrezik interesat shtetërore të Beogradit.
Të martën edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se nëse dikush mendon se Beogradi është vendi më i mirë për negociata, është i gatshëm që siç tha ai “t’ua ofrojë miqve rusë dhe ukrainas”.
Kreu i shtetit serb në një intervistë në TV Happy duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë ruse Sergei Lavrov tha se Beogradi do të ishte një vend i mirë për negociata mes Ukrainës dhe Rusisë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, kryeqyteti i Serbisë tashmë ishte një vend për negociata, si në lidhje me këtë krizë poashtu edhe me bisedimet me talebanët.
Ishte shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov ai i cili erdhi me idenë se bisedimet për paqe të vendit të tij me Ukrainën mund të zhvillohen në Beograd.
Në një deklaratë bërë të hënën për mediat serbe ai tha se janë të gatshëm të shqyrtojnë edhe lokacione të tjera për negociata, përfshirë Beogradin, përveç Stambollit, ku tashmë po mbahet një takim.
“Beogradi, me statusin e tij si qytet dhe këndvështrimin e tij, është plotësisht përgjegjës për çdo negociatë në të gjitha nivelet,” tha Lavrov.
Bisedimet për paqe mes delegacionit ukrainas dhe atij rus u mbajtën të martën në Stamboll të Turqisë.
Nikoqir i negociatave ballë për ballë, të parat në më shumë se dy javë, ishte presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, transmeton Klankosova.tv. Vendi të cilin e drejton Erdogan, Turqia, është anëtare e NATO-s, i cili po ruan lidhje të forta me Rusinë.
Udhëheqësi i Turqisë i ka rezistuar bashkimit me sanksionet e Perëndimit kundër Moskës – një nga vendet e pakta që ende po e bën një gjë të tillë.