Përfaqësuesit politikë dhe sindikalistë gjermanë janë shprehur sërish kundër një ndalimi të menjëhershëm të importeve ruse të energjisë.
Presidenti i sindikatës së industrisë së minierave, kimikateve dhe energjisë, Michael Vassiliadis, tha për radion gjermane se furnizimi me energji i Gjermanisë ndodhet në mes të një transformimi. Kjo kërkon kohën e vet. Heqja dorë plotësisht nga furnizimet me gaz nga Rusia, qoftë edhe deri në vitin 2025, është një objektiv ambicioz i politikës, shpjegoi Vassiliadis. As një ndalim i menjëhershëm i furnizimit nuk është veprim i përgjegjshëm.
Edhe me një reduktim prej 50 për qind të importit të gazit rus, zona më e madhe kimike në botë, BASF në Ludwigshafen, për shembull, do të duhej të mbyllej plotësisht, pasi nuk mund të mbahej në punë më në mënyrë të sigurtë. Qindra mijëra vende pune do të ishin në rrezik, sipas Vassiliadis.
Scholz: ndalimi i importeve – një ndërprerje e madhe në disa sektorë industrialë
Kancelari Scholz kishte paralajmëruar më parë në televizionin ARD se një ndalim i importeve do të çonte në një ndërprerje të madhe në disa sektorë industrialë në Gjermani. Më pas do të kërcënonte një krizë e konsiderueshme ekonomike dhe një rrezikim i shumë vendeve të punës.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck tha, pas një takimi me ministrat e Energjisë së G7, për akuzat se Perëndimi po ndihmonte në financimin e luftës në Ukrainë përmes vazhdimit të importit të gazit nga Rusia, se këto fonde nuk janë vendimtare për Rusinë në financimin e luftës. Putini ka shumë mjete të tjera, tha Habeck.
Habeck paralajmëroi këtë fundjavë kundër blerjeve në panik në rast të një ndërprerjeje të papritur të furnizimit me naftë dhe gaz rus. Njerëzit atëherë ndoshta jo thjesht do të përdornin më pak automjete, por do të kishte një vrapim në pikat e karburantit të ngjashëm me atë që ndodhi në fillim të pandemisë Corona në letrën higjienike, tha politikani i të Gjelbërve për televizionin ARD.
Studiuesit: Pritet një rënie e PBB prej 0.5 deri në 3 për qind
Kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane të Bundestagut, Anton Hofreiter, ndërkohë bëri thirrje këtë fundjavë për një embargo të menjëhershme të energjisë ndaj Rusisë. Qindra miliona euro transferohen çdo ditë në Moskë, duke lejuar funksionimin e shtetit rus dhe aparatit të tij ushtarak, tha ai për portalin e lajmeve “The Pioneer”. Një embargo është teknikisht e mundur dhe ekonomikisht e përballueshme. Do të rezultonte vetëm në një recesion të moderuar. Dy deri në tre përqind të produktit të brendshëm bruto do të binte, vlerësoi Hofreiter. Vendet e BE si Finlanda, Polonia dhe Letonia po kërkojnë gjithashtu një embargo.
Studiues nga universitetet e Bonit dhe Këlnit vlerësuan së fundmi se ndalimi papritur i importeve ruse të energjisë do të çonte në një rënie të PBB-së midis 0.5 dhe 3 për qind, ndërsa në vitin 2020 rënia e PBB-së për shkak të pandemisë kishte qenë 4.5 për qind.
Alexander Libmann, politolog në Universitetin e Lirë të Berlinit dhe specialist në Evropën Lindore dhe Rusi, shprehu skepticizmin e tij në mes të marsit për efektin e një ndërprerjeje papritur në furnizimin me energji. Ai nuk mendon se termi “arkë lufte”, i cili po përdoret shumë shpesh në media, mund të kuptohet kaq thjesht. “Ushtria që operon aktualisht në Ukrainë nuk financohet nga të ardhurat aktuale të naftës dhe gazit. Ajo mund ta mbajë luftën pa këto të ardhura, të paktën për një periudhë afatshkurtër. Përkundrazi, është një çështje e efekteve afatmesme dhe e aftësisë së Rusisë që shteti të ndërtojë një forcë të qëndrueshme të armatosur, por në rastin e Ukrainës, gjithçka tashmë është tepër vonë”.
Ish-presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble këmbënguli gjithashtu për ndalimin e furnizimit rus me gaz dhe naftë nga Rusia. Politikani i CDU-së i tha gazetës “Welt am Sonntag” se edhe nëse është e hidhur, duhet hequr dorë sa më parë. Gjermania nuk duhet të jetë gjithmonë frena e aleancës perëndimore.
Zëdhënësi i liberalëve të FDP për energjinë, Kruse foli nga ana tjetër kundër ndalimit të importimit. Ai i tha radiostacionit gjerman Deutschlandfunk se aktualisht nuk mund të importohet mjaft gaz natyror në ndonjë mënyrë tjetër për të mbuluar kërkesën kombëtare. Megjithatë, ai beson se deri në fund të vitit do të jetë e mundur të bëhet pa naftë dhe qymyr rus.aud (dlf, dpa)/DW/