Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Presidentja, Kryeministri por edhe analistë të huaj e kosovarë, kanë paralajmëruar se Rusia do të tentojë të destabilizojë Bosnjën e Kosovën nëpërmjet Serbisë. Por, gjatë një vizite në Kosovë Karen Donfried, Ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, ka thënë se SHBA nuk janë duke parë ndonjë kërcënim të shtuar për Kosovën dhe se do të kujdesen për sigurinë e saj.
Zyrtarë të lartë të shtetit, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, që prej fillimit të luftës në Ukrainë, kanë akuzuar Rusinë pa ndërprerë për destablizimin e mundshëm të Ballkanit
Ata vazhdimisht kanë theksuar se “lidhjet e gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë paraqesin rrezik për destabilizimin e rajonit”, duke argumentuar se “për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s”.
Një paralajmërim i hershëm për rrezikin rus në Ballkani kishte ardhur edhe nga Daniel Serwer ish diplomat amerikan dhe profesor në Universitetin Johns Hopkins.
“ Nëse intervenimi rus do të ishte i suksesshëm, do të inkurajonte rritjen e aktivitetit të saj me qëllim të ndarjeve etnike dhe destabilizimit të Ballkanit” kishte paralajmëruar Serwer.
Televizioni 7 gjatë një interviste të martën e ka pyetur Karen Dofried, ndihmësen e sekretares amerikane për destabilizimin që mund të shkaktojë Rusia në Ballkan.
Ajo ka thënë se SHBA nuk ka vërejtur ndonjë kërcënim të shtuar. Por, ka thënë se kosovarët mund të ndjehen të sigurt.
“Dëshiroj t’i siguroj kosovarët se mund të ndjehen – për shkak të KFOR-it dhe dëshiroj t’jua kujtoj sërish se është forca më e madhe e dislokuar e NATO-s e SHBA-ja është kontribuuesi më i madh në KFOR, si dhe për shkak të garancive të SHBA-së për Kosovën (e më lejoni të them se nuk shohim ndonjë kërcënim të shtuar për sigurinë e Kosovës; nuk shohim asgjë që të sugjerojë se Rusia ka rritur vëmendjen për nxitjen e destabilitetit këtu) – që për të gjitha këto arsye mund të ndjeheni të sigurt që SHBA-ja po kujdeset për sigurinë tuaj dhe se KFOR-i, së bashku me SHBA-në, do të sigurojnë që të mos ketë përshkallëzim të shtuar në Kosovë” ka theksuar ajo./GazetaExpress/