Presidenti federal Frank-Walter Steinmeier akuzon ish-kancelarin Schröder se e ka dëmtuar Gjermaninë me aktivitetet e tij në Rusi.
“Angazhimi i Gerhard Shröderit në kompanitë ruse të energjisë ka lënë shumë pikëpyetje në Evropë, veçanërisht me fqinjët tanë të Evropës Lindore, por edhe në lidhje me vendin tonë”, tha Steinmeier për gazetën “Bild am Sonntag”.
Pjesa më e madhe e asaj që Gerhard Schröder inicioi gjatë kohës sa ishte kancelar u zbeh për shkak të sjelljes së tij pas mandatit të tij si kancelar. “Kjo nuk ishte mirë”, tha Steinmeier duke shtuar se kjo ka pasur pasoja jo vetëm për Schröderin personalisht, por ehde për të gjithë Gjermaninë.
Bashkëpunimi i dikurshëm dhe ndarja
Në të kaluarën, Steinmeier ka punuar ngushtë me mikun e tij të partisë Schröder – nga viti 1999 deri në 2005 ai ishte kreu i kancelarisë gjatë kohës sa Schröder ishte kancelar. Presidenti federal në intervistë është distancuar edhe nga ai personalisht: “15 vjet kemi ecur së bashku në një rrugë, por ka 17 vjet që unë eci rrugën time politike pa të. Gjatë kësaj kohe, Gerhard Schröder mori vendime personale që na kanë larguar mes vete”, tha Steinmeier. Ai këtë vit nuk e ka uruar as për ditëlindjen.
Schröder është kritikuar prej vitesh për angazhimin e tij në kompanitë shtetërore ruse dhe për marrëdhëniet e tij tepër të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin. Pas sulmit rus në Ukrainë, presioni ndaj tij është rritur shumë. Por pas fillimit të luftës dhe agresionit rus, është kritikuar edhe vetë Steinmeier për politikën e tij ndaj Rusisë gjatë dy dekadave të fundit. Pas disa hezitimeve, ai ka pranuar se në të kaluarën ka bërë gabime, për shembull në vlerësimin e Putinit..DW/