Janë bërë 23 vjet nga zhdukja e intelektualit Ukshin Hoti. E as pas më shumë se dy dekadash nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Djali i tij, Andin Hoti, tha se Serbia nuk ka gatishmëri për zbardhjen e fatit të babait të tij dhe të shumë të zhdukurve të tjerë.
Ai thekson se me rastin e babait të tij dhe të zhdukurve të tjerë Serbia po bën lojëra politike.
“Po, janë bërë 23 vjet nga zhdukja e babait tim. Fatkeqësisht, as sot nuk dihet për fatin e tij. Ai ka qenë në, siç e them unë, “institucionin kryesor të sigurisë së shtetit, pra ka qenë në burg”. Dhe nga aty është nxjerrë”.
“Serbia nuk ka gatishmëri që pavarësisht se ne i kemi përmendur emrat e personave që dinë për rastin, të intervistohen, qoftë si të akuzuar ose edhe si dëshmitarë. Serbia vazhdimisht bën lojëra politike edhe në rastin e babait tim, por edhe në rastet e tjera”.
“Ata thonë vazhdimisht që e kemi liruar nga burgu dhe nuk kemi informacione më tutje. Unë si kryetar i Komisionit për të Pagjetur i kam lexuar disa raporte nga Serbia dhe vazhdimisht ata thonë kështu. Jo veç me këtë rast, pothuajse me të gjitha rastet e të zhdukurve bëjnë lojëra politike. Babai është nxjerrë nga qelia, kështu thonë disa dëshmitarë që kanë qenë të burgosur. Pra, e ka marrë një gardian me emrin Miki Vidiq, mbikëqyrësi ose komandant i burgut ka qenë Branko Komantina. Pra, dihen njerëzit përgjegjës. Ka njerëz të cilët dinë për rastin”.
Andin Hoti, i cili është edhe në krye të Komisionit Qeveritar, shtoi se kanë kërkuar vazhdimisht nga Serbia të bashkëpunojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Ne si komision vazhdimisht i kemi kërkuar Serbisë që të bashkëpunojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Por, s’ka gatishmëri nga ana e Serbisë”, ka thënë ai për klankosovën.Ukshin Hoti ishte rrëmbyer nga Burgu i Dubravës më 16 maj 1999 dhe nga ajo kohë ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.