Kërkesë. Trajtim me përbuzje. Kërkesë. Trajtim me përbuzje. Ky duket të jetë modeli që po ndjek aktualisht Ukraina në diskutimet e saj me dhe për Gjermaninë.
Këtu bën pjesë edhe refuzimi i ofertës për vizitë për Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, pasi udhëheqja e Kievit kishte kritikuar politikën e tij të mëparshme ndaj Rusisë dhe Steinmeier kishte pranuar se kishte bërë gabime.
Ky model ka qenë shumë efektiv. Edhe mediat gjermane e përvetësuan këtë model. Nuk kalon asnjë ditë pa u vënë publikisht në shtyllën e turpit Berlini, pa gazetarë kritikë që pyesin anëtarët e qeverisë gjermane pse ne nuk po heqim dorë përfundimisht nga nafta dhe gazi rus dhe pse Gjermania nuk po e furnizon Ukrainën me të gjitha armët që ka kërkuar ajo. Është një pjesë teatrale gjithnjë e më e bezdisshme dhe në çdo rast e tepërt.
Gjermania e mbështet Ukrainën thuajse si asnjë vend tjetër
Së pari, Gjermania, së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka qenë donatori më i madh i Ukrainës që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014.
Së dyti, përveç fqinjëve të afërt të Ukrainës, Gjermania është një nga vendet që ka pranzar më shumë refugjatë ukrainas.
Së treti, Gjermania bën pjesë në shtetet që i paguan më shumë para Ukrainës, për të blerë arëm. Kancelari Olaf Scholz sapo njoftoi se Gjermania do të sigurojë deri në 2 miliardë euro (2.1 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake. Dhe ai nuk la asnjë dyshim se ne duhet të mbështesim Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Në këtë kontekst, sa e zgjuar është që qeveria ukrainase e lëndon qeverinë gjermane vazhdimisht dhe e përmbyt me kërkesa të reja, të formuluara ashpër? Kur Gjermania i siguron disa nga armët e dëshiruara, Kievi thotë: kjo vërtet është mirë, por duhet të jetë shumë më tepër. Kur Gjermania shpall asgjë më pak se një ndryshim paradigme duke i kthyer shpinën qymyrit, naftës dhe gazit rus, Ukraina thotë: Kjo është mirë, por duhet të ndodhë menjëherë.
A nuk mjafton një kthesë 180 gradë?
Në këtë kuadër harrohet me dëshirë se Gjermania bëri një kthesë 180 gradë me përmasa të paprecedenta. Gazsjellësi Nord Stream 2 u mbyll. Forcat e armatosura gjermane do të pajisen me 100 miliardë euro – një plan që Scholzi e shpalli menjëherë pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Gjermania paguan për dërgesat e armëve në një zonë lufte. Qeveria gjermane ka filluar të ndërpresë lidhjet e saj të ngushta dhe jashtëzakonisht të rëndësishme të lëndëve të para me Rusinë. Ministri i Ekonomisë, një politikan i Partisë së Gjelbër, udhëtoi në Lindjen e Mesme për të blerë naftë dhe gaz, ndërsa mendonte me zë të lartë për të zgjatur mbajtjen në punë të termocentraleve bërthamore dhe të qymyrit të Gjermanisë. Këto janë të gjitha ndryshime ekstreme të kursit në një periudhë tepër të shkurtër kohe. Cilat vende të tjera evropiane i kanë ndryshuar politikat e tyre në mënyrë drastike sa Gjermania, dhe me një kosto kaq të madhe?
Dash i kurbanit për vendet e tjera të BE
Edhe më irrituese se sa qëndrimet jomiqësore nga Kievi është sjellja e vendeve të tjera evropiane. Ata nuk ndërmarrin asnjë veprim vetë, por fshihen pas Gjermanisë, apo edhe drejtojnë gishtin nga Berlini. Të krijohet përshtypja se gjithçka ka të bëjë me imazhin.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë disa telefonata të pasuksesshme në përpjekje për të ndikuar mbi shefin e Kremlinit, Vladimir Putin. Ai gjithashtu organizoi pa zhurmë që finalja e Ligës së Kampionëve të futbollit, e cila do të mbahej në Rusi, të luhet në Francë. Vendi i tij nuk vepron kaq me vendosmëri kur bëhet fjalë për pranimin e refugjatëve në Francë.
Italia ka deklaruar, publikisht dhe troç, se mund të bëjë pa gazin rus menjëherë. Që do të thotë se nëse Evropa nuk arrin të miratojë një embargo gazi, kjo është për shkak të shteteve të tjera anëtare – kupto: Gjermania. Polonia, pa koordinim paraprak me aleatët e saj, nxit publikisht për të dorëzuar avionë në Ukrainë, por vetëm përmes Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet një baze ajrore në Gjermani. Nëse avionët nuk dorëzohen, thotë Varshava, kjo ndodh për shkak të Shteteve të Bashkuara ose Gjermanisë. Hungaria e kalon lehtë – të paktën në sytë e opinionit publik gjerman – me qëndrimin e saj prorus. Budapesti pranon me kënaqësi gazin e lirë rus dhe, nëse është e nevojshme, e paguan faturën edhe në rubla.
Grindja i sjell dobi vetëm Putinit
Mund të të shkojë mendja se ndonjë anëtar i BE nuk do të ishin i pakënaqur ta shihte Gjermaninë në gjendje të keqe – dhe duke humbur një pjesë të fuqisë dhe prosperitetit të saj ekonomik. Ligësi? Ndoshta. Fakti është se në skemën e qortimeve, kërkesave dhe plotësimeve, nevojiten gjithmonë dy palë. Njëri që bërtet me zë të lartë, nervozohet dhe tregon tjetrin – dhe tjetri që lejon t’ia bëjnë këtë.
Një spektakël i tepërt. Në fund të fundit, të gjithë kanë të njëjtin qëllim: t’i japin fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Pra, pse të mbillet grindje? Kjo ndihmon vetëm një person: Putinin. /DW/