Qeveria gjermane vendosi të dërgojë deri në 50 ushtarë në misionin paqeruajtës EUFOR/Althea në Bosnjë-Hercegovinë. Qëllimi është ruajtja e stabilitetit në prag të zgjedhjeve në tetor.
Dhjetë vjet pas largimit, ushtarët gjermanë do të shkojnë sërish në Bosnjë-Hercegovinë. Këtë e miratoi qeveria gjermane të mërkurën (15.06.). Vendimi parashikon dërgimin e deri në 50 ushtarëve në kuadër të misionit EUFOR/Althea.
Kontingjenti i parë me 25 pjesëtarë të Bundeswehrit pritet të niset në Bosnjë-Hercegovinë në muajin gusht. Mandati është parashikuar fillimisht për një vit. Para se të hyjë në fuqi ai duhet të miratohet nga Bundestagu. Grupi më i madh opozitar, CDU/CSU e përshëndeti vendimin, por kritikoi numrin e ushtarëve.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, e argumentoi këtë shtim të prezencës gjermane në rajon me rëndësinë thelbësore që ka për BE-në dhe vendet anëtare stabiliteti dhe siguria në Bosnjë-Hercegovinë dhe Ballkanin Perëndimor. “Gjermania do të japë ndihmesën e saj në ruajtjen e stabilitetit në prag të zgjedhjeve, në tetor 2022”, tha ai.
“Sy e veshë për misionin”
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, David Helmbold, tha se kontingjenti i parë do të jetë nën 50. Një pjesë do të stacionohet në Komandën Qendrore në Sarajevë, kurse një pjesë tjetër do të jetë në terren me ekipe vëzhguese dhe ndërlidhëse dhe do të monitorojnë gjendjen në vend. “Ata do të shërbejnë si sy e veshë për misionin, në mënyrë që, në rast nevoje, të reagohet me shtim forcash”, tha Helmbold në konferencën e rregullt të zëdhënësve të qeverisë gjermane, të mërkurën 15.06 në Berlin.
Mandati pritet të miratohet nga Bundestagu qysh javën e ardhshme. Grupi parlamentar opozitar CDU/CSU e përshëndet rikthimin e ushtarëve gjermanë në EUFOR-Althea, por kritikon numrin e kontingjentit. Folësi i këtij grupi për çështje të politikës së jashtme, Jürgen Hardt, u shpreh në një deklaratë për media, se limitimi i numrit të ushtarëve deri në 50 nuk mjafton. Sipas Hardt, Ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte kërkuar një numër më të lartë. “Një shans i humbur i qeverisë për të dhënë një sinjal jo vetëm simbolik, por të fortë, në këtë kohë të rëndësishme në një rajon me rëndësi strategjike, siç është Ballkani Perëndimor”, tha Hardt.
Sinjal më të fortë kanë kërkuar edhe deputetët e partisë së koalicionit qeveritar, SPD, Gruene, FDP, të cilët kanë përgatitur një projekt-rezolutë, ku kërkojnë një angazhim më të fuqishëm të Gjermanisë në Bosnjë-Hercegovinë, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe atë civil.
EUFOR (European Union Force) ALTHEA përbëhet aktualisht nga 18 ekipe vëzhguese dhe ndërlidhëse. Batalioni ndërkombëtar në kampin Butmir, Sarajevë, mbështet organet e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë. Veç kësaj EUFOR ALTHEA mban në dispozicion një trupë ndërhyrëse në rast keqësimi të gjendjes.Nisur nga tensionet e krijuara kohëve të fundit ndërmjet etnive, komandanti aktual i EUFOR-it ka thirrur katër kompani të njësisë rezervë, pra, gjithsej deri në 500 ushtare dhe ushtarë./DW/