Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për zgjedhjet në Serbi dhe fitoren e Aleksandar Vuçiq, për të cilën tha se nuk i çon peshë fare Kosovës një gjë e tillë.
Ai tha se për popullin kosovar nuk ka asnjë vlerë se kush fiton apo humbet në Serbi, sipas tij e rëndësishme është qëllimi i interesit që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga ana e palës tjetër.
“Ne nuk kemi dhe nuk mund të kemi marrëdhënie dashurie me politikën e Serbisë. Nuk na preokupon ne se çfarë vendos populli serb. Ne kemi interesa më të ngushta me Amerikën për të nxjerrë rezultatin tonë. Nuk besojmë se është në interesin tonë të komentojmë kualitetet e tyre, i ka zgjedhur populli i vet. Interesi ynë është vetëm njohja reciproke”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë për ABC News.
Ai ka folur edhe për situatën e FSK-së dhe gatishmërinë që të shërbejë në Ukrainë në kuadër të trupave të NATO-s, duke pohuar se Forca e Sigurisë në vend i ka kapacitetet që ta bëjë një gjë të tillë.
“Po kemi kapacitete për të qenë të pranishëm në këtë gjendje. Si në pranim, si në mbështetje por edhe në veprimtari të tjera që do të kishin të bënin me shtimin e sigurisë në perimetër, ne i kemi kapacitete të tilla. Kuptohet ne përfitojmë nga përkrahja në siguri e NATO-s dhe e Amerikës dhe aleatëve të tjerë, jemi të interesuar në këto përvoja në vende të dytë dhe të treta”, tha ndër të tjera kreu i AAK-së.