Ish-ministri gjerman për Evropën në qeverinë federale, Michael Roth, thotë se BE-ja duhet ta mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Roth është takuar me Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak me të cilin ka biseduar lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Roth gjithashtu ka thënë se BE-ja duhet t’i fillojë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“I nderuar Miroslav Lajcak, faleminderit për vizitën dhe punën tuaj. Shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin evropës dhe meritojnë më shumë se vetëm fjalë. BE-ja duhet t’i mbajë premtimet e veta: Të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën. Demokracia dhe rendi e ligji janë të rëndësishme”, ka shkruar Roth.
Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që ka ende regjim të vizave, ndërkaq vendet e rajonit e kanë marrë liberalizimin e vizave nga BE-ja më shumë se një dekadë më parë.