Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen ka thënë për Sky News se aleanca ushtarake ka për detyrë të ndihmojë Ukrainën me mjetet e nevojshme për të luftuar dhe për të fituar këtë luftë.
Ai tha se e vetmja gjuhë që kupton presidenti rus Vladimir Putin është “gjuha e forcës dhe unitetit”.
“Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion maksimal ndaj Rusisë përmes furnzimit të Ukrainës me armë dhe ndërprerjes së të gjitha financimeve të Rusisë. Unë mendoj se Bashkimi Europian duhet të ndërpresë të gjitha financimet e makinerisë së luftës së Putinit,” tha ai.
“Kjo do ta gjunjëzonte makinerinë e luftës së Putinit. Mendoj se historia na ka mësuar se dialogu me diktatorët nuk çon në paqe, përkundrazi, çon në luftë dhe konflikt. Kam vënë re se dikush ka propozuar se do të ishte e rrezikshme të poshtëronim Putinin,” theksoi ai.
“Vendosja e precedentit që një agresor mund të arrijë përfitime territoriale nëpërmjet një marrëveshjeje paqeje pas një lufte të pajustifikuar, kjo vetëm do të inkurajojë diktatorët e tjerë gjithashtu por do të ishte një mesazh shumë i rrezikshëm”.
Ai paralajmëroi se rreziku më i madh tani është një konflikt i zgjatur, sepse “Putini dhe Rusia janë ekspertë të konfliktit të zgjatur dhe të ngrirë”.
“Unë mendoj se qëllimi i Putinit mund të jetë të vazhdojë të destabilizojë dhe dobësojë Ukrainën përmes një konflikti të zgjatur dhe se ky është aktualisht rreziku më i madh dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të dorëzojmë të gjitha armët që i duhen Ukrainës,” përfundoi ai.