Me të përfunduar ceremonia e funeralit të Madeleine Albright, ish Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Publike dhe zëdhënësi kryesor kur e ndjera ishte Sekretare e Shtetit, James P. Rubin, shkroi një kolumne për të, duke kujtuar disa nga momentet e rralla të karrierës së saj.
Rubin mes tjerash kujton kohën në vitet 1990 kur Albright ishte grua e vetme në një “det burrash” dhe se si kishte bërë shaka duke thënë që nëse ndonjëherë do të shkruante libër, ai do të quhej “14 kostume dhe një fund”, pasi e kalonte shumicën e kohës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me 14 ambasadorë meshkuj.
Rubin vë në pah se në rastet e Kosovës dhe të zgjerimit të NATO-s, përfshirja e Albright bëri një ndryshim vendimtar.
“Pas kthimit nga një takim veçanërisht intensiv në Shtëpinë e Bardhë, ajo më tregoi se si kërkonte një vendim për Kosovën, duke i thënë një zyrtari të lartë të administratës: “Si ambasadore e OKB-së më injoruan për Bosnjën, por këtë herë unë jam Sekretare e Shtetit dhe ne do të kemi një diskutim për përdorimin e forcës në Kosovë”.
“Tani nëse shikohet prapa, del se populli i Kosovës ishte me fat se kërkesa e tyre për liri ndodhi në kohën kur bota perëndimore po funksiononte në të gjithë cilindrat e saj, dhe kur ishe në detyrë një sekretare e shtetit me njohuri dhe histori unike”, kujton Rubin në shkrimin e tij.Klan kosova.