Historia nuk përsëritet kurrë në të njëjtën mënyrë. Por ngjashmëria midis fushatës ushtarake në Greqi të udhëhequr nga Benito Musolini dhe fushatës në Ukrainë të udhëhequr nga Vladimri Putin janë vërtet mbresëlënëse.
Dhe Karl Marksi, duke reflektuar mbi ngjarjet në Francë në kapërcyellin e shekujve XVIII-XIX, jo më kot i mëshonte idesë se historia shfaqet për herë të parë si një tragjedi dhe për herë të dytë si komedi. Më 30 mars 1938, Dhoma e Ulët dhe Senati italian miratuan me pompozitet ligjin për Marshallin e parë të Perandorisë, titull që iu dha Viktor Emanuelit III dhe Duçes.
Po atë ditë, mes duartrokitjeve të zhurmshme të senatorëve, Musolini i lavdëroi forcat e armatosura, italiane të cilat ai i cilësoi si ndër më të fuqishmet në botë. Dhe këtu nuk bën përjashtim as Vladimir Putin. Ai e di se njerëzit e tij kanë të ardhura shumë më të ulëta për frymë sesa evropianët dhe amerikanët.
Por nga ana tjetër, e gënjen veten se ka një ndër ushtritë më të mira në botë. Por për ta ditur nëse është i mirë apo jo, pudingu duhet shijuar. Dhe siç e dëshmojnë faktet, si Musolini po ashtu edhe Putini janë të detyruar të ndryshojnë mendje. Më 28 tetor 1940, Musolini nisi sulmin ndaj Greqisë.
Por shumë shpejt ajo ofensivë rezultoi të ishte një katastrofë. Greqia kaloi në kundërsulm dhe depërtoi në Shqipëri. Duçja pushoi shumë nga ushtarakët e lartë. Do të duhej ndërhyrja e forcave gjermane për të imponuar kapitullimin e Greqisë në prillin e vitit 1941. Edhe Putin po sillet as më shumë e as më pak si Musolini.
Ashtu si ky i fundit besonte se grekët ishin një popull barinjsh gati për t’u dorëzuar, edhe diktatori rus u nxit nga shërbimet sekrete dhe gjeneralët e tij të besonte se Ukraina do të mposhtej brenda një kohe të shkurtër. Me pak fjalë, fushata kundër Volodimir Zelenskit do të kishte qenë pak më shumë sesa një shëtitje në park.
Por kjo nuk ndodhi. Dhe duke ndjekur gjurmët e Duçes, Putin nisi spastrimet. Komandanti i përgjithshëm i fushatës u shkarkua dhe u zëvendësua nga një gjeneral më me përvojë. Me reputacionin e të qenit një xhelat në Siri. Dhe Putini do të përulet deri në pikën sa të kërkojë ndihmë ushtarake nga Kina, ashtu si Musolini ndaj Gjermanisë naziste.
Askush nuk mund ta thotë se si do të përfundojë kjo luftë. Por fakt është se Blitzkrieg-u rus në Ukrainë ka dështuar. Lufta po vazhdon në një trajektore shumë të ndryshme nga ajo që mendohej. Trupat ukrainase po rezistojnë fort madje po marrin rezultate të papritura siç ishte fundosja e kryqëzorit rus “Mosvka”, xhevahirit të ushtrisë së Putinit.
Për tiranin e Kremlinit, kjo fushatë e mjerë do të jetë fillimi i fundit. Ai u kthye kundër Xho Bajdenit, që deri dje konsiderohej si një politikan me një qasje të butë ndaj Kremlinit.
Ai doli kundër vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat ishin të kënaqura deri më 24 shkurt me tregtinë fitimprurëse që bënin me Carin e ri.
Dhe tani Finlanda dhe Suedia, të frikësuara nga “ariu” rus, janë gati të kërkojnë një “ombrellë sigurie” nga NATO. Ndërkohë Ukraina pret me padurim anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Një vetëvrasje kjo e Putinit.
I ndërgjegjshëm për lavditë e Stalinit, ai do të donte të fitonte më 9 maj. Kur diktatori gjeorgjian e detyroi Gjermaninë të kapitullonte në vitin 1945. Pikërisht më 9 maj por të vitit 1936, Italia pushtoi Etiopinë. Fati i diktatorëve dihet tashmë:në fund, ata bien viktima të iluzioneve të tyre. (botasot)