Japonia ka kritikuar vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga bisedimet bilaterale për traktat të paqes dhe për të pezulluar projektet e përbashkëta ekonomike, të lidhura me ishujt e kontestuar.
Rusia dhe Japonia ende nuk u kanë dhënë fund zyrtarisht armiqësive të Luftës së Dytë Botërore, për shkak të ishujve që gjenden afër ishullit Hokaido.
Këta ishuj njihen si Kurils në Rusi dhe si Territoret Veriore në Japoni.
Vendimi i Moskës për t’u tërhequr nga bisedimet ka ardhur si hakmarrje për sanksionet e vendosura nga Tokio drejt Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ishujt janë pushtuar nga ish-Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe Rusia pretendon se blerja e tyre ishte po aq e drejtë sa çdo ndryshim ndërkombëtar i kufijve pas luftës.
Japonia konteston këtë gjë.
“E gjithë situata e krijuar nga pushtimi rus në Ukrainë dhe përgjigja ruse për të përfshirë këtë gjë në marrëdhëniet Japoni-Rusi, është jashtëzakonisht e padrejtë dhe plotësisht e papranueshme”, ka thënë të martën, 22 mars, kryeministri japonez, Fumio Kishida.
Japonia ka vendosur sanksione ndaj 76 individëve rusë, shtatë bankave dhe 12 subjekteve tjera, duke përfshirë zyrtarë të Mbrojtjes dhe kompaninë shtetërore për eksport të armëve, Rosoboronexport.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.rel