Ekziston një rrezik në rritje që krimi i organizuar mund të përfitojë nga kaosi i krijuar nga lufta në Ukrainë. Prej muajsh, autoritetet europiane dhe ndërkombëtare e vënë theksin mbi tragjedinë e fëmijëve të humbur, të cilët rrezikojnë të përfundojnë në qarkun e trafikimit apo birësimeve të paligjshme.
Alarmi i fundit është lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës, e cila thotë: “Ka një kërcënim që qytetarët rusë të adoptojnë jetimë ukrainas në mënyrë të paligjshme, pa ndjekur të gjitha procedurat e përcaktuara nga ligji ukrainas”.
Sipas Ministrisë, ushtarët rusë vazhdojnë të dëbojnë me forcë njerëzit nga Ukraina, përfshirë fëmijët që humbën prindërit e tyre në luftë. Ministria shpreh shqetësimin për qëllimin e Kremlinit për të nënshkruar “marrëveshje” me territoret tashmë të zaptuara të Ukrainës, të cilat do të lejonin transferimin e jetimëve në Rusi.
“Këto veprime, i përkasin krimit të rrëmbimit dhe për këtë arsye kërkojnë reagim të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat kompetente ndërkombëtare”, thotë ministria.
Drama nuk ka të bëjë vetëm me fëmijët jetimë, por edhe fëmijët që prindërit i dërgojnë në vende të tjera të sigurta, por që më pas përfundojnë në qarkun e krimit të organizuar.A2CNN.