Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, i cili shoqërohej nga ambasadori jorezident për Kosovë, René Rosager Dinesen dhe bashkëpunëtorët.
Në takim, përveç situatës së sigurisë në rajon pas agresionit rus në Ukrainë, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës.
Me theks të veçantë u nënvizua nevoja e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një gurthemel për bashkëpunimet e radhës.
Kryetari Konjufca, me këtë rast, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për çlirimin, zhvillimin, shtetndërtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai theksoi se Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira partneriteti dhe shprehu besimin se mbështetja e shtetit danez ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, ministri Hækkerup konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahjen e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.