Associated Press
Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin, “kriminel të luftës”, për nisjen e luftës në Ukrainë, ku janë bombarduar spitale dhe qendra materniteti.
Mirëpo, deklarimi për dikë si kriminel lufte, nuk është gjë aq e thjeshtë sa thuhet me fjalë.
Ekzistojnë disa definicione dhe procese për të përcaktuar kush është kriminel lufte dhe si duhet të ndëshkohet.
Shtëpia e Bardhë u është shmangur përshkrimeve për Putinin, duke thënë se kjo gjë kërkon hetime dhe vendosmëri ndërkombëtare.
Pasi Bideni e ka quajtur atë kriminel, më 16 mars, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se presidenti ka folur nga “zemra e tij’ dhe ka përsëritur se duhet të ketë një proces që e përcakton këtë gjë.
Si përdorim popullor, kjo frazë përdoret për të përshkruar dikë si të tmerrshëm.
“Qartazi Putin është kriminel i luftës, mirëpo presidenti është duke folur në aspektin politik për këtë gjë”, ka thënë David Crane, i cili ka punuar në çështje të krimeve të luftës për dekada dhe ka shërbyer si kryeprokuror në Gjykatën Speciale të Kombeve të Bashkuara për Sierra Leonen, e cila ka gjykuar ish-presidentin e Liberisë, Charles Taylor.
Hetimet për veprimet e Putinit kanë nisur.
Shtetet e Bashkuara dhe 44 shtete tjera janë duke punuar së bashku për të hetuar shkeljet dhe abuzimet e mundshme, pas miratimit të një rezolute nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, për të krijuar një komision hetimor.
Ka hetime edhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, trup i pavarur me bazë në Holandë.
“Ne jemi në fillim të fillimit”, ka thënë Crane, i cili tani udhëheq Rrjetin Global për Llogaridhënie.
Ky rrjet punon me Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe OKB-në.
Në ditën e pushtimit, grupi i tij ka krijuar një task-forcë për të mbledhur informacion penal për krimet e luftës.
Crane është duke hartuar edhe një mostër-aktakuzë kundër Putinit dhe ka parashikuar se padia kundër presidentit rus mund të bëhet brenda një viti.
Kush është kriminel lufte?
Ky term vlen për secilin që shkel disa rregulla të miratuara nga liderët botërorë, të cilat njihen si Ligji i konfliktit të armatosur.
Këto rregulla përcaktojnë si të veprojnë shtetet në kohë të luftës.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
Rregullat janë modifikuar dhe zgjeruar në shekullin e kaluar, të cilat janë nxjerrë nga Konventa e Gjenevës pas Luftës së Dytë Botërore dhe protokollet që i janë shtuar më vonë.
Këto rregulla mëtojnë të ndihmojnë njerëzit që nuk marrin pjesë në luftime dhe ata që nuk mund të luftojnë, sikurse mjekët dhe infermierët, të plagosurit dhe të burgosurit e luftës.
Traktatet dhe protokollet përcaktojnë kush mund të shënjestrohet dhe me çfarë armësh. Disa lloje të armëve ndalohen, përfshirë agjentët kimikë dhe ata biologjikë.
Çfarë krime specifike mund ta bëjnë dikë kriminel lufte?
Të ashtuquajturat “shkelje të rënda” të konventave mund të përfshijnë vrasje me dashje, shkatërrim dhe përvetësim të pronës që nuk arsyetohet me nevojë ushtarake.
Në mesin e krimeve përfshihen edhe: shënjestrimi i civilëve me qëllim, përdorimi i forcës joproporcionale dhe marrja e pengjeve.
Gjykata Ndërkombëtare Penale gjykon edhe krimet kundër njerëzimit, ku përfshihen sulmet e gjera ose sistematike drejtuar ndaj cilësdo popullsie civile.
Aty përfshihet vrasja, transferimi me forcë, tortura, dhunimi dhe skllavëria seksuale.
Putini ka mundësi që të shpallet kriminel lufte sipas doktrinës ligjore të përgjegjësisë komanduese.
Nëse komandantët urdhërojnë apo janë në dijeni të krimeve të luftës dhe nuk bëjnë asgjë për t’u ndalur ato, ata mund të mbahen ligjërisht përgjegjës.
Cilat janë rrugët e drejtësisë?
Ekzistojnë katër rrugë për të hetuar dhe përcaktuar krimet e luftës, ndonëse secila ka kufizimet e veta.
E para është përmes Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Një opsion i dytë është nëse Kombet e Bashkuara i përqendrojnë përpjekjet e tyre në një gjykatë hibride ndërkombëtare, e cila do ta ndiqte penalisht Putinin.
Mundësia e tretë është përmes krijimit të një tribunali apo gjykate për të gjykuar Putinin nga një grup i shteteve të interesuara, sikurse NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Tribunalet ushtarake të Nurenbergut, pas Luftës së Dytë Botërore kundër liderëve nazistë, janë shembuj.
Dhe, në fund, disa shtete kanë ligjet e veta për të gjykuar krimet e luftës. Gjermania, për shembull, veçse ka nisur ta hetojë Putinin.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë ligj të tillë, mirëpo Departamenti amerikan i Drejtësisë ka një seksion të veçantë që fokusohet në akte që përfshijnë gjenocidin ndërkombëtar, torturën, rekrutimin e fëmijëve ushtarë dhe gjymtimin gjenital të femrave.
Ku mund të mbahet gjyqi për Putinin?
Nuk është e qartë. Rusia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk do të dërgonte ndonjë të dyshuar në selinë e Gjykatës në Hagë të Holandës.
As Shtetet e Bashkuara nuk e njohin autoritetin e Gjykatës.
Putini mund të gjykohet në ndonjë shtet që e zgjedhin Kombet e Bashkuara, apo përmes një konsorciumi të shteteve të interesuara. Mirëpo, dërgimi i tij në to do të ishte gjë e vështirë.
A janë gjykuar liderët kombëtarë në të kaluarën?
Po. Nga tribunalet pas Luftës së Dytë Botërore në Nurenberg dhe Tokio, deri në tribunalet më të fundit ad-hoc, liderë shtetërorë janë dënuar për veprimet e tyre në Bosnje, Kamboxhia dhe Ruandë.
Ish-lideri jugosllav, Sllobodan Millosheviq, është gjykuar nga Tribunali i OKB-së në Hagë, për nxitje të konflikteve të përgjakshme në Jugosllavi, në fillet e shkatërrimit të saj më 1990.
Ai ka vdekur në qelinë e tij në Gjykatë para se të merrej vendimi.
Aleati i tij, serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe lideri i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, janë dënuar dhe të dy janë duke vuajtur dënimet me burgim.
Mlladiqit i konfirmohet dënimi
Taylor i Liberisë është dënuar me 50 vjet burgim, pasi është dënuar për sponsorim të mizorive në Sierra Leone.
Ish-diktatori i Çadit, Hissene Habre, i cili ka vdekur vitin e kaluar, ka qenë ish-kreu i parë i një shteti që është dënuar për krime kundër njerëzimit nga një gjykatë afrikane.
Ai është dënuar me burgim të përjetshëm.