Në fjalimin e saj të parë publik në gjashtë muaj, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një “pikë kthese të thellë” në historinë europiane të pas Luftës së Dytë Botërore.
“Solidariteti im është për Ukrainën që është sulmuar dhe pushtuar nga Rusia dhe mbështetje për të drejtën e saj për vetëmbrojtje”, tha Merkel të mërkurën mbrëma. Ajo tha se mbështet përpjekjet e qeverisë aktuale gjermane, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, G7 dhe OKB-së për të siguruar një fund të “luftës barbare dhe agresionit të Rusisë”.
Merkel foli para 200 të ftuarve në një ceremoni për Reiner Hoffmann, i cili së fundi dha dorëheqjen si kreu i Konfederatës me ndikim të Sindikatave Gjermane. Ajo theksoi se pasojat e luftës do të jenë të gjera, veçanërisht për Ukrainë, por edhe për të gjithë kontinentin. Merkel iu referua gjithashtu mizorive kundër civilëve, duke përmendur Buchan, një vend pranë Kyivit ku u gjetën qindra civilë të vrarë.
Ajo e quajti një fije të vogël shprese në këtë “pikëllim të pafund” mbështetjen e madhe të ofruar për ukrainasit nga vendet fqinje, duke përmendur Poloninë dhe Moldavinë si shembuj. “Ne kurrë nuk duhet ta marrim paqen dhe lirinë si të mirëqena”, tha ajo.