Përveç krizës së energjisë, BE ka paralajmëruar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po e çon botën në prag të një krize të mundshme ushqimore.
Pasi Banka Botërore publikoi parashikimin e saj, në të cilin thuhej se ekonomia e Ukrainës do të tkurret me 45% këtë vit, kryediplomati europian, Josep Borrell tha se bombardimet e Rusisë dhe bllokimi i porteve që pamundëson transportimin e grurit, është duke krijuar valë tronditëse në kohën kur ekonomia globale ende po përballet me pasojat e pandemisë së koronavirusit.
Paralajmërimet e Borrellit rrisin shqetësimet e theksuara në raportin e Bankës Botërore, në të cilin është thënë se prodhimi ekonomik në Ukrainë pritet të tkurret ndjeshëm dhe se kjo ulje do të varet nga kohëzgjatja dhe intensiteti i luftës.
Nga ana tjetër, Banka Botërore parashikon se ekonomia e Rusisë do të pësojë ulje me rreth 11 për qind këtë vit, si pasojë e sanksioneve, shifër kjo disa herë më e ulët se ajo për Ukrainën.