Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi kundër “përshkallëzimit” verbal me Moskën. Kjo deklaratë erdhi pasi homologu i tij amerikan Joe Biden e quajti presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “kasap”.
“Unë nuk do t’i përdorja ato fjalë,” tha Macron në një intervistë me stacionin France 3.
Presidenti francez theksoi se “duhet bërë gjithçka për të ndaluar përshkallëzimin e situatës” nëse do të ketë ndonjë shpresë për të ndaluar luftën e Rusisë në Ukrainë.
Macron tha për France 3 se ai e sheh detyrën e tij në “arritjen e armëpushimit dhe më pas tërheqjen e përgjithshme të trupave [ruse] me mjete diplomatike. Nëse duam ta bëjmë këtë, nuk mund të përshkallëzohemi as me fjalë, as me veprime,” ai tha.
Gjatë një fjalimi të zjarrtëtë shtunën (26.03) në Varshavë Biden e quajti Putinin “kasap” dhe tha: “Ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, sepse lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën. Ai gjithashtu paralajmëroi forcat ruse që të mos guxojnë të shkelin “asnjë centimetër të vetëm” të territorit të NATO-s.
Duke përdorur fjalët e Papës së parë nga Polonia, Gjon Pali II, i cili u zgjodh si kreu i Kishës Katolike në vitin 1978, Biden tha: “Mos kini frikë!” dhe shtoi: “Ne jemi pranë jush”. Këto fjalë u drejtohen shtetasve të Ukrainës, por edhe të Polonisë si dhe vendeve të tjera lindore të NATO-s.
Retorika jashtëzakonisht e fortë dhe e zjarrtë e presidentit Biden u relativizua shpejt nga Shtëpia e Bardhë, e cila tha se presidenti nuk po bënte thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi. “Ajo që donte të thoshte Presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin”, tha zyrtari i Shtëpisë. “Presidenti nuk po vë në diskutim pushtetin e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit.” /DW/