Vladimir Putin mund të shpallë një luftë të re botërore brenda disa ditësh, ka paralajmëruar Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe.
Ky paralajmërim vjen pas pretendimeve të Rusisë se pushtimi i Ukrainës ka gjasa të përfundojë në një luftë botërore bërthamore.
Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka paralajmëruar se tirani rus mund të përdorë festën tradicionale të Ditës së Fitores, e cila shënohet më 9 maj e që përkujton fundin e Luftës së Dytë Botërore, për t’iu bërë thirrje trupave ruse për një “luftë me nazistët e botës”.
Britaniku gjithashtu shtoi se pushtimi i Ukrainës nga Rusia rrezikonte të shndërrohej në “një lloj rritjeje kanceroze” që duhet të ndërpritet, shkruan The Sun.
Deklarata e tij vjen pas asaj të redaktores së transmetuesit shtetëror rus RT, Margarita Simonyan, e cila në një transmetim tha se më shumë mundësi kishte që presidenti rus të niste një sulm bërthamor sesa të lejonte Rusinë të humbiste luftën. Edhe më herët, thuhej se Putin do të përdorte Ditën e Fitores për të shpallë fitoren në luftën në Ukrainë.
“Nuk do të habitesha se ai ndoshta mund të deklarojë më 1 maj se “tani jemi në luftë me nazistët e botës dhe duhet të mobilizojmë masivisht popullin rus”. Putini, pasi ka dështuar në pothuajse të gjitha objektivat, mund të kërkojë të konsolidojë atë që ka dhe thjesht ajo të jetë një lloj rritje kanceroze”, tha Wallace për radion londineze LBC.
Ai tha se Britania duhet të vazhdojë të ndihmojë ukrainasit në mënyrë efektive për të vazhduar të luftojnë, transmeton Gazeta Express.Moska ka vazhduar të bëjë kërcënime kundër Perëndimit për shkak të dërgimit të armëve në Ukrainë. Dje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se tendenca për të dërguar armë, përfshirë armë të rënda, në Ukrainë, janë “akte që kërcënojnë sigurinë e kontinentit dhe provokojnë jostabilitet”.