Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi të enjten Kongresit të ndalojë shitjen e armëve të sulmit, të zgjerojë kontrollet e historisë së atyre që duan të mblejnë armë dhe të miratojë masa të tjera të arsyeshme për kontrollin e armëve, në përgjigje të disa sulmeve me armë zjarri që kanë goditur Shtetet e Bashkuara.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt të hënën në mbrëmje, zoti Biden tha disa herë “Mjaft më, mjaft më” dhe shtroi pyetjen se çfarë do të duhej për të ndryshuar ligjet e armëve në Amerikë.
“Për hir të Zotit, sa masakra të tjera jemi të gatshëm të pranojmë?” tha zoti Biden.
Fjalimi vjen pas sulmit me armë të javës së kaluar nga një 18-vjeçar, i cili vrau 19 nxënës dhe dy mësues në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit, si dhe një tjetër sulmi ditën e mërkurë në Tulsa të shtetit të Oklahomës, ku një person i armatosur qëlloi dhe vrau katër persona dhe më pas veten në një qendër mjekësore.
Këto dy ngjarje pasuan një tjetër sulm në 14 maj në Buffalo të Nju Jorkut, ku një supremacist 18-vjeçar i bardhë hapi zjarr në një supermarket duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur tre të tjerë, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si “ekstremizëm i dhunshëm me motive racore”.
Presidenti, një demokrat, bëri thirrje për një sërë masash të kundërshtuara historikisht nga republikanët në Kongres, përfshirë ndalimin e shitjes së armëve të sulmit, ose nëse kjo nuk do të ishte e mundur, rritjen e moshës minimale për të blerë ato lloj armësh në 21 vjeç nga 18, si edhe shfuqizimin e një klauzole që mbron prodhuesit e armëve nga paditë për dhunën e ushtruar nga njerëzit që përdorin armët e tyre.
“Ne nuk mund ta zhgënjejmë përsëri popullin amerikan,” tha zoti Biden, duke u bërë presion republikanëve që të lejojnë që projektligjet për masat e kontrollit të armëve të hidhen në votim.
Ligjvënësit po shqyrtojnë masa për të zgjeruar kontrollet e së kaluarës së blerësve të armëve dhe projekt-ligje që do të lejonin zyrtarët e zbatimit të ligjit t’u heqin armët njerëzve që vuajnë nga sëmundje mendore. Por çdo masë e re përballet me pengesa të mëdha nga republikanët, veçanërisht në Senat, dhe lëvizjet për të ndaluar armët sulmuese nuk kanë mbështetje të mjaftueshme për t’u miratuar.
Megjithë sfidat politike, Biden i kërkoi Kongresit të vepronte.
Fjalimi i zotit Biden në mbrëmje kishte për qëllim pjesërisht që kjo çështje të jetë mendjen e votuesve, para zgjedhjeve për Kongresin në nëntor.
Më shumë se 18,000 njerëz kanë vdekur nga dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara deri më tani në vitin 2022, duke përfshirë vrasje dhe vetëvrasje, sipas Arkivit të Dhunës me Armë, një grup kërkimor jofitimprurës.
Kanadaja, Australia dhe Britania kanë miratuar ligje më të rrepta për armët pas sulmeve me armë zjarri në vendet e tyre, duke ndaluar armët e sulmit dhe duke rritur kontrollet. Amerika ka përjetuar dy dekada masakrash në shkolla, dyqane, vende pune dhe objekte kulti, por nuk ka miratuar ndonjë legjislacion të tillë.
Një shumicë e gjerë e votuesve amerikanë, si republikanë ashtu edhe demokratë, favorizojnë ligje më të forta për kontrollin e armëve, por republikanët në Kongres dhe disa demokratë të moderuar e kanë bllokuar një legjislacion të tillë prej vitesh./VOA