Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, shumë shpejt pritet të ulet në bankën e të akuzuarve, lidhur me akuzën se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016 gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku të pranishëm ishin ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Sllobodan Petroviq dhe deputeti Pal Lekaj, i njëjti ka hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, këtë të enjte ishte e paraparë që të mbahej seanca fillestare ndaj Konjufcës, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në gjykatë.
Sipas gjykatëses së rastit, Edita Çanta, i akuzuari e ka njoftuar gjykatën se për shkak të angazhimeve në punët e tij, nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë me kryetarin Konjufca, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi