Gyleni rikthehet në Kosovë për të trazuar edhe më shumë raportet mes vendit tonë dhe Turqisë. Kësaj here vjen në formë libri, ku shpaloset jeta, vepra dhe personaliteti i tij. Por, kjo ardhje nuk pritet të kalojë pa pasojë.
Në ambientet e një hoteli luksoz në dalje të Prishtinës po mbahet një promovim libri. Por, ky promovim libri nuk është si çdo tjetër, pasi prek edhe raportet bilaterale politike të Kosovës me një vend mik. Bëhet fjalë për një libër të Gylenit, dhe bëhet fjalë për Turqinë.
Ky promovim i librit të Gylenit të titulluar “Fetullah Gylen, një jetë në shërbim” me autor Jon Pahlin, një profesor amerikan, në orën 11:00, mblodhi shumë e shumë personalitete të rëndësishme të jetës publike.
Një ndër panelistët që po e promovojnë këtë libër është edhe ish kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet dhe ish kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, z. Mazllum Baraliu.
Ai u shpreh me shumë simpati për librin dhe figurën e njeriut të akuzuar për terrorizëm në Turqi.
“Duke e lexuar librin për Gylenin, gjëja e parë që të lë përshtypje është pasioni shkencor për të prezantuar me sukses një botim kaq të rëndësishëm. Nevoja për këtë vepër ka qenë nevojë qe sa kohë. Për protagonist janë shfaqur shumë mendime pro dhe kontra dhe ky libër e sqaron figurën e tij.”
Panelistë tjetër është edhe profesori i sociologjisë dhe globalizmit, Fadil Maloku. Ndërkohë, udhëheqësi i këtij paneli ishte autori John Pahl, shkruan Gazeta Nacionale.
Në mesin e pjesëmarrësve tjerë në këtë event shihet edhe Blerim Latifi, profesori i filozofisë politike, që shpesh ka pasur konfrontime të shumta me përkrahës të liderit autoritar të Turqisë, Rexhep Taip Erdoan.
Dhe, mes figurave tjera aty ndodhen edhe hoxhallarë të rëndësishëm e me nam në Kosovë.
Në vend-ngjarje janë parë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Në Kosovë vite më parë ishte zhvilluar një debat i madh në lidhje me figurën e Fetullah Gylenit, që shihet në Turqi si një përkrahës i madh i vlerave konservatore fetare. E gjithë kjo kishte ndodhur pas deportimit të gjashtë shtetasve turq që Turqia i akuzonte si komplotues në tentim-puçin e përgjakshëm të vitit 2016.
Në përpjekjet për puç të atij viti për të cilat akuzohej si njeriu kryesor Fetullah Gyleni, kishin gjetur vdekjen mbi 300 njerëz dhe mbi 2 mijë të tjerë ishin plagosur.
Shumë ndërtesa qeveritare në Turqi ishin bombarduar nga ajri, përfshirë parlamentin dhe pallatin presidencial.
Nacionale ka provuar të marrë një qëndrim nga Ambasada e Turqisë në Kosovë për një promovim të tillë, por ata deri në këtë moment nuk kanë dhënë komentin e tyre./Gzaeta Nacionale.