Polonia tha se është e hapur ndaj idesë së futjes së armatimeve bërthamore amerikane në vendin e saj dhe gjithashtu kërkon rritje me 50% të trupave amerikane në Europë. Kështu tha Jaroslaw Kaczynski, zv.kryeministër dhe kryetar i partisë në pushtet, në një intervistë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.
NATO i është kundërpërgjigjur pushtimit rus të Ukrainës duke rritur praninë e trupave në vendet e lindjes, si Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Por vendosja e armëve bërthamore amerikane në Poloni rrezikon të shihet si provokim nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Polonia do të ishte e lumtur nëse amerikanët rrisin praninë e tyre në Europë, nga 100 mijë trupa që kanë tani, deri në 150 mijë në të ardhmen, për shkak të rritjes së agresivitetit të Rusisë”, tha 72-vjeçari. “Nëse amerikanët do të na kërkonin të vendosnin armë bërthamore në Poloni, do të ishim të hapur ndaj idesë. Do të rriste ndjeshëm efektin parandalues kundrejt Moskës. Do të dërgohej një mesazh i qartë, që lidershipi i NATO-s është i pranishëm në lindje”. “Me, apo pa armë bërthamore, Polonia dëshiron të shohë më shumë prani komanduese të NATO-s në vendin tonë”, shtoi Kaczynski.a2cnn.