Në pyjet e Finlandës, ushtria e këtij vendi po përgatitet në rast se Rusia do të kërcënonte me luftë. Trupat finlandeze, bashkë me ato britanike, amerikane, estoneze dhe letoneze zhvilluan stërvitjen e përbashkët “Arrow 22”.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë – varet nga secili prej komandantëve – nëse tyta e tankut është lart, atëherë ajo shkatërrohet”, tha Rainer Kugesmanen, kolonel i ushtrisë së Finlandës.
Këto stërvitje të përvitshme, këtë herë morën peshë më të madhe. Lufta e Rusisë në Ukrainë bëri që Finlanda të konsiderojë aderimin në NATO.
“Ne duam të zhvillohemi dhe nëse je në flluskën tënde, nuk do të zhvillohesh”, tha koloneli.
“Arrow 22 ka të bëjë me përgatitjen e Finlandës për anëtarësimin e mundshëm në NATO – sipas fjalëve të organizatorëve… me qëllim të mbrojtjes kombëtare për të krijuar dhe mbështetur ndërveprueshmërinë ndërkombëtare”, raporton nga Finlanda Nic Robertson, CNN.
Shefi i mbrojtjes i Finlandës dhe homologu i tij britanik vizituan fushëbetejën. Stërvitja në pyje ishte një sukses, duke shpejtuar rrugën drejt aderimit në NATO.
“Ne kemi një ndërveprim shumë të mirë me NATO-n dhe besoj se Finlanda do të përmbushte kriteret e nevojshme për të qenë anëtare e NATO-s. Besoj se negociatat me NATO-n nuk do të marrin shumë kohë për shkak të kësaj”, tha Antti Kaikkonen, ministër i Mbrojtjes i Finlandës.
Deri sa kjo të ndodhë, Britania ofron mbështetje ushtarake. Qartësisht sinjalizon mbështetjen politike për të shpejtuar aderimin e Finlandës. “Stërvitjet si këto sot tregojnë absolutisht se forcat tona janë të përputhura profesionalisht, të ndërveprueshme profesionalisht dhe kjo është një forcë e rëndësishme që Finlanda patjetër do ta shtonte në NATO”, tha Ben Wallace, sekretar i Mbrojtjes i Britanisë.
Në fushëbetejë, trupat nuk flasin për NATO-n, por shkëmbejnë informacione për njëri-tjetrin dhe armatimet. Pas një dite duke shënjestruar njëri-tjetrin me tanke, disa nga trupat finlandeze thonë se nuk ka gjasa që Putin të vendosë të hyjë në një luftë me ta.
“Nuk duket logjike, pasi nëse ata kanë aktualisht trupa në Ukrainë dhe do të vendosnin të na sulmonin, do t’i mposhtnim kollaj”, tha një ushtar i Finlandës.
Finlanda do të vendosë për pak ditë nëse do t’i bashkohet NATO-s.