Sipas qeverisë britanike, Rusia po vendos mercenarë të grupit Wagner në Ukrainën lindore. Arsyeja: ofensiva e ushtrisë ruse ka ngecur.
Perëndimi e akuzon këtë “ushtri në hije” për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Sipas informacioneve të qeverisë britanike, mercenarë rusë nga grupi Wagner janë angazhuar në Ukrainën lindore. Siç thuhet nga Ministria Britanike e Mbrojtjes, më shumë se 1000 mercenarë mund të dërgohen në Ukrainë për misione luftarake, mes tyre edhe drejtues të organizatës. Raportet për ekzistencën e grupit u shfaqën për herë të parë në fillimin e luftës në Ukrainën lindore në vitin 2014.
“Për shkak të viktimave të mëdha dhe një mësymjeje që në pjesën më të madhe ka ngecur” në Ukrainë, “Rusia me shumë gjasa u detyrua të zhvendoste personelin e saj Wagner për Ukrainën në kurriz të operacioneve në Afrikë dhe Siri,” shpjegoi më tej ministria britanike e Mbrojtjes.
Tortura dhe vrasje të qëllimshme
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE besojnë se trupa Wagner po përdoret për të zëvendësuar ushtrinë ruse. Qeveria ruse mohon çdo lidhje me trupën mercenare. BE vendosi sanksione ndaj organizatës dhe themeluesit të saj Dmitry Utkin në dhjetor 2021.
Trupa Wagner konsiderohet si “ushtria në hije” e Rusisë dhe është e lidhur me rajonet e krizës, të tilla si Siria, Libia, Republika e Afrikës Qendrore dhe së fundmi, Mali. Rusia mohon çdo lidhje me të. Mercenarët akuzohen për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat dhe vrasjet e qëllimshme.
Priten luftime të ashpra
Rusia njoftoi të premten se dëshiron të fokusohet në të ardhmen në “çlirimin e Donbassit” në luftën në Ukrainë. Prandaj, qeveria e Kievit druhet për një përkeqësim të situatës në Mariupol dhe në lindje të vendit. Sipas zyrtarëve perëndimorë, megjithatë, trupat ruse ndeshen atje me “forcat e armatosura ukrainase më të pajisura dhe më të trajnuara”.rtr, tgsch/dw.